E Diel, 1 Nëntor 2026

Arti si transmetues i vlerave dhe i kontributeve shoqërore

Arti, krahas misionit të tij argëtues, estetik, etik, kurues dhe edukativ transmeton vlera dhe kontribute shoqërore.

Nëpërmjet artit, artistët e ndryshëm japin mesazhe shoqërore të cilat prezantojnë një nivel të caktuar shoqëror, gjithashtu ndikojnë në përmirësimin e një gjendjeje shoqërore të caktuar. Gjithashtu, arti transmeton edhe kontribute shoqërore të cilat kanë një rol të madh në zhvillimin shoqëror.

Arti primitiv, antik, mesjetar, klasik, romantik, popullor, qytetar ka prezantuar vlerat dhe kontributet shoqërore të shoqërive përkatëse. Njëkohësisht, ky art ka dhënë mesazhe për shoqëri dhe grupe shoqërore të mëvonshme, duke luajtur një rol të rëndësishëm në procesin shoqëror.

Transmetimi i vlerave dhe kontributeve shoqërore është pasqyruar në artin e muzikës, pikturës, teatrit dhe letërsisë.

Arti primitiv nëpërmjet terakotave transmeton në ditët tona një seri procesesh shoqërore dhe psikologjike si gjuetinë, luftën, vdekjen, lindjen (erosin e thanatosin), veglat e punës dhe zbukurimet që njëkohësisht kanë vlera dhe kontribute shoqërore të caktuara.

Teatri antik ishte pasqyra e zhvillimeve shoqërore të caktuara antike. Tragjedia, komedia pasqyronin qartë deri në detaje zhvillimet shoqërore në periudhën antike.

Gjithashtu, arti mesjetar dhe ai klasik kanë transmetuar vlerat dhe kontributet e shoqërisë në të cilën ato janë krijuar.

Muzika dhe piktura klasike transmetojnë vlerat dhe kontributet e shoqërisë së kohës.

Muzika e Moxartit transmeton kontributin e shoqërisë mondane dhe klasës së lartë, njëkohësisht edhe grupeve të tjera shoqërore të kohës.

Muzika e Bethovenit të madh bën thirrje për liri dhe drejtësi, art i cili përfaqësonte artin romantik dhe lëvizjet e mëdha për të drejta dhe demokraci.

Kënga popullore dhe arti tradicional transmetojnë vlerat dhe kontributet e kulturave të cilat ai përfaqëson. Ato përpiqen të transmetojnë kontributet e kulturave të caktuara nëpërmjet këngëve dhe pikturës e letërsisë ku autori krijues është produkt shoqëror.

P.sh., arti popullor i trevave të Jugut transmeton inteligjencën, mënyrën e të sjellit dhe jetuarit të Shqipërisë së Jugut.

Arti popullor i zonave të Veriut të Shqipërisë transmeton zhvillimet shoqërore në Veri, luftërat për liri dhe identitet, problemet shoqërore mbi të cilat është krijuar, varfërinë shpirtërore dhe shoqërore ose pasuritë shoqërore që ka folklori i Veriut: burrërinë, prioritete shoqërore, si besën dhe mikpritjen.

Aristokracia austriake e kohës së Perandorisë transmeton nivelin shoqëror nëpërmjet artit të saj p.sh. me valse të Shtrausit.

Sot në zhvillimet moderne arti gjithashtu transmeton vlerat e shoqërisë aktuale siç është zhvillimi shoqëror në niveli të larta, nivelin virtual nëpërmjet High-tech-kut dhe video artit, problemet shoqërore të caktuara të botës moderne, drogën dhe papunësinë gjithashtu edhe nivelin individualist dhe konsumator të shoqërisë së sotme moderne dhe globalizmin si proces mbarëbotëror.

*Pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›