E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku klandestin, arrestohen tre persona në Korçë

Tre persona që në bashkëpunim me njëri-tjetrin po organizonin kalimin ilegal drejt Greqisë të pesë shtetasve nga Tirana e Lushnja, mes të cilëve edhe dy të mitur, u arrestuan nga policia e qarkut të Korçës gjatë një operacioni të koduar "Pranvera". Policia e Korçës bën të ditur se në pranga ka rënë Ylli Palla, 47 vjeç, nga fshati Koshnicë i rrethit të Devollit, Florian Martaneshi, 25 vjeç me banim në Tiranë dhe Lule Hamzallari, 27 vjeç, me banim në Pogradec. Sipas policisë, kalimi i pesë personave ilegalisht në Greqi do të kryhej në këmbim të shumës prej 6 mijë euro. Personat që do të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme u kapën në banesen e shtetasit Ylli Palla, në fshatin Koshnicë. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi prej 700 euro si dhe mjetin tip Benz, me targë DV 1410 A, me të cilin shtetësja Lule Hamzallari bëntë transportin e personave nga Pogradeci drejt Devollit. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e 47 vjeçarit Palla u gjet e paketuar, në një qese plastike, një sasi prej 1.6 gram bimë e dyshuar si kanabis sativa. Mësohet se grupi hetimor po vazhdon punën për identifikimin dhe kapjen e pjesëtarëve të tjerë të këtij rrjeti trafiku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›