E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku në spital bllokon ambulancën për 20 minuta

Makinat e parkuara sa andej-këndej bllokojnë autoambulancën në oborrin e QSUT-së. Plot 20 minuta i janë dashur një autoambulance të përshkonte rrugën që nga hyrja e qendrës spitalore "Nënë Tereza", deri në urgjencën e spitalit. Pasi ka kaluar trafikun e tmerrshëm në rrugët e Tiranës, ambulanca, e cila po sillte me shpejtësi drejt QSUT-së një paciente ka pritur e bllokuar në trafikun brenda oborrit të spitalit, plot 20 minuta.

Familjarët e shqetësuar janë munduar më kot që të hapin rrugën e bllokuar nga makinat e parkuara në të dyja anët, por askush nuk ka mundur që të çajë trafikun e bllokuar. Duke parë se situata sa vinte e rëndohej për pacienten që ndodhej brenda në ambulancë, familjarët kanë rrëmbyer barelën, ku ndodhej e sëmura dhe duke e mbajtur në krahë e kanë çuar në urgjencë. E gjithë ngjarja është xhiruar nga kamera e "Fiks Fare". Askush nuk merr masa për të eliminuar këtë trafik që bllokon brenda oborrit të QSUT-së lëvizjen e ambulancave që sjellin pacientët, që kanë nevojë për ndihmën urgjente të mjekëve. Në çdo cep të këtyre ambienteve ke tabela që të lajmërojnë se është i ndaluar parkimi, por askush nuk i respekton. Të vetmit që e pësojnë janë pacientët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›