E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e euros lë "pezull" listën e re të barnave

Barnat e reja të listës me rimbursim mbeten "peng" i rritjes së vlerës së euros. Propozimet e ilaçeve për listën e re të barnave kanë më shumë se një muaj që qëndrojnë në Drejtorinë e Farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë. Propozimet e reja që kanë bërë shefat e klinikave, mjekët, por edhe vetë blerësit e "mëdhenj" të ilaçeve kanë mbetur pezull, për problemin e rritjes së çmimit të euros, duke menduar zgjidhje alternative, në mënyrë që shëndetësia "të shtrijë këmbët sa ka jorganin". As të mos prishë premtimin për ilaçe më të mira e barna më të shtrenjta, por nga ana tjetër, as të mos krijojë kufizime, sikundërse ndodhi dy vjet më parë. Kjo do të thotë se me një fond prej mbi 4.2 miliardë lekësh të reja, duke marrë në konsideratë rritjen e çmimit të euros, rrezikun se kjo monedhë do të forcohet më tej, premtimet për barna më të mira dhe shtrirjen e skemës më gjerësisht se një vit më parë, shëndetësia duhet të ideojë një listë ku të përmblidhen: sasi, cilësi, çmim. Sipas një llogaritje, me vlerat aktuale të lekut dhe euros, duke pasur parasysh fondin prej 4.2 miliardë lekësh të reja, duhen të paktën 2.2 milionë euro për t‘i dhënë pacientëve të njëjtat barna me çmimet aktuale. Këto 2.2 milionë euro janë diferenca që duhet të paguajë shteti në këtë rast për të përballuar një listë barnash me rimbursim, me medikamentet aktuale, me të njëjtat doza, me klauzola të pandryshueshme, të cilat rekomandojnë përdorimin e ilaçit.

Për listën e re të barnave ishin propozuar barna të shtrenjta për trajtimin e tensionit, problemeve kardio-vaskulare, diabetit, veshkave, sëmundjet neurologjike, pacientët që vuajnë nga prostata, nga dhembjet kronike. Të paktën deri në fund të këtij muaji, duhet të jetë hartuar lista e re e barnave në mënyrë që procedurat deri në miratimin e listës nga qeveria, në mënyrë që rimbursimet e reja të hyjnë në fuqi në qershor-korrik.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›