Trafiku rrugor në “pëllëmbë” të policisë, Basha inauguron sistemin
Tiranë- Trafiku rrugor në “pëllëmbë të dorës”. Kjo është risia që sjell salla e re e kontrollit të trafikut rrugor, e sapoinstaluar në Policinë e Shtetit, me anën e së cilës synohet mbajtja nën kontroll e rrugëve të vendit, ulja e numrit të aksidenteve dhe ngushtimi i hapësirave të kontaktit, mes policëve dhe qytetarëve-shoferë, të cilët kryejnë shkelje. Gjatë ditës së djeshme, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kanë qenë të pranishëm në përurimin e kësaj salle, që pritet të përmirësojë ndjeshëm situatën e trafikut në rrugët e vendit. Sipas të dhënave që ofruan drejtuesit e policisë, mësohet se kjo sallë zotëron një sistem modern on-line të kontrollit rrugor, lidhjen e drejtpërdrejtë me njësitë e policisë së qarkullimit rrugor në terren dhe përcjelljen on-line të të dhënave, për automjetet që kryejnë shkelje të rregullave të qarkullimit ose kanë detyrime të pashlyera. Një tjetër funksion është fiksimi në kohë reale i pamjeve të aksidenteve, çka pritet të sjellë edhe kapjen në kohë të autorëve që abuzojnë me përdorimin e rrugës.
Gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni, ministri Basha u shpreh se këto hapa të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, kanë për qëllim uljen e abuzimeve. “Ky proces i pandalshëm modernizimi bazohet në filozofinë e qeverisë për ngushtimin sa më të madh të hapësirave për abuzivizëm në kontaktin midis administratës dhe qytetarit, në këtë rast midis policisë dhe qytetarit dhe për zbatimin rigoroz të ligjit”, - tha ministri Basha. Më tej, ai shtoi se funksionimi i këtij sistemi do të sjellë përmirësimin e sigurisë në rrugë, një ulje të numrit të aksidenteve dhe një raport korrekt mes punonjësve të policisë rrugore dhe qytetarëve. “Ky sistem nuk njeh Vip-a, as të fortë. Qytetarët janë të barabartë para ligjit dhe nuk ka asnjë mundësi që të ndërhyhet dhe të manipulohet sistemi, pa u zbuluar dhe u ndëshkuar ata që do të guxonin të ndërmerrnin këto veprime”, - theksoi ministri Basha gjatë ceremonisë së djeshme. Duke e vlerësuar funksionimin e këtij sistemi si një hap domethënës modernizues, për kontrollin e trafikut rrugor, ministri Basha premtoi mbështetje të menjëhershme për dyfishimin e kapaciteteve të tij. “Brenda marsit, me fondet e alokuara nga Ministria e Brendshme do të arrini të dyfishoni këto kapacitete, duke arritur parametra të barabartë me vende fqinje dhe anëtare të BE-së”, – u shpreh ai. Gjatë fjalës së tij, Basha kritikoi dhe pushtetin vendor për papërgjegjshmërinë, neglizhencën deri në mospërfillje të interesave të qytetarëve, siç ka ndodhur në Tiranë. “Problemi i trafikut rrugor, problemi i pasigurisë rrugore, është një problem për të cilin Policia do të luajë gjithmonë e më mirë rolin e saj, por që nuk mund të kompensojë asnjëherë as neglizhencën, as papërgjegjshmërinë e enteve pronare, në rastin e qyteteve të pushtetit vendor apo mospërfilljen totale të interesave të qytetarëve, siç është rasti këtu në Tiranë, ku prej më shumë se një viti, jo vetëm qendra, por pjesë të rëndësishme të qytetit janë kthyer në një makth të vërtetë për qytetarët, qoftë përsa i përket kohës që humbasin në trafik, durimit, shpenzimeve të karburantit, ajrit të pistë që thithin”, – bëri të ditur ministri i Brendshëm. Në fund të fjalës së tij, Basha deklaroi vendosmërinë dhe përkushtimin e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, për të lehtësuar dhe zgjidhur problemet e qytetarëve me trafikun rrugor dhe rritjen e mëtejshme të sigurisë rrugore.