E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiropali: Protestën e ndërpremë se s’donim përplasje me policët

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 05-03-2011 09:27

Tiranë- Kryetarja e eurosocialistëve shqiptarë, Erisa Spiropali pohon se arsyeja e ndërprerjes së protestës ishte shmangia e një përplasjeje me forcat e policisë. Në një prononcim për gazetën “MAPO”, kryetarja e FRESSH-it, Elisa Spiropali pohoi se ishte e vërtetë që protesta para Ministrisë së Brendshme zgjati më pak se ç’ishte parashikuar, por kjo erdhi si pasojë e mosgarantimit të tubimit nga Policia e Tiranës. “Ne depozituam një kërkesë në Policinë e Tiranës, ku kërkuam leje për tubim paqësor, prej orës 12:00 të mesditës deri në orën 00:00. Por nga ana e saj, Policia na ktheu përgjigje se nuk mund të jepte leje për gjithë këtë afat kohor. Duke e ditur se në rast se ne do qëndronin aty, policët do të ishin të detyruar të na largonin me forcë, vendosëm ndërprerjen e protestës”, – shprehet Spiropali për “MAPO”-n. Më tej, ajo shton se të rinjtë e FRESSH-it nuk kanë asgjë kundër efektivëve të policisë, të cilët qëndronin aty për të ruajtur godinën e Ministrisë së Brendshme, por protesta e tyre i drejtohet ministrit Basha. “Ne nuk kemi asgjë kundër policëve, të cilët në rast se ne qëndronim, do detyroheshin të na largonin me forcë, pas urdhrave që do vinin dhe nuk donim që një gjë e tillë të ndodhte. Kjo ishte edhe arsyeja që vendosëm të largoheshim. Problemi ynë është me Lulzim Bashën, i cili u largua nga zyra vetëm 5 minuta përpara fillimit të protestës. Është ai që ka frikë nga protestat”, - shtoi më tej Elisa Spiropali. Në fund të prononcimit të saj, ajo u shpreh se protestat e FRESSH-it do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme, paralelisht me protestat e Partisë Socialiste dhe Opozitës së Bashkuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›