Tragjedi në Himarë, autobusi me 34 studentë bie në greminë; 13 të vdekur. Dëshmia e studentes: Autobusi lëvizte me shpejtësi. Berisha ndërpret punimet e samitit të NATO-s, kthehet në atdhe

-- Mbërrijnë në Spitalin Ushtarak dy helikopterë me 8 studentet e lënduara
-- Prefekti i Vlorës, Eduard Velçani: Të gjitha studentet janë transportuar drejt spitalit
-- Rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Liman Varoshi: Studentet u nisën sot drejt Sarandës për një ekspeditë mësimore
-- Qeveria shpall 22 majin ditë zie kombëtare
UPDATE- Një autobus me 34 studente (të gjitha femra) të degës Gjuhë-Letërsi, viti i III, të universitetit “Aleksandër Xhuvani”, ka rënë nga rreth 100 metra lartësi në vendin e quajtur Qafa e Vishës në aksin rrugor Himarë-Sarandë. Prefekti i Vlorës, Eduard Velçani i cili mbërriti menjëherë në vendngjarje deklaroi se të gjithë studentët janë nxjerrë nga autobusi. Siç duket edhe në foton shoqëruese, automjeti ku udhëtonin studentet, është shndërruar në një grumbull hekurishtesh.
Bëhet e ditur se në autobus kanë qenë rreth 34 studente. Deri më tani raportohet për 13 viktima, ndërsa 21 studente të plagosura po kurohen në spitalin e Himarës, nga të cilat 10 prej tyre janë në gjendje kritike për jetën.
Nga spitali i Himarës janë transportuar drejt Spitalit Ushtarak 8 nga studentet në gjendje të rëndë, ndërsa pritet që nga momenti në moment të dërgohen drejt Tiranës edhe 2 studente të tjera. Burime pranë Spitalit Ushtarak, deklaruan pak minuta më parë se njëra prej studenteve të plagosura, Eranda Baloshi s‘i ka mbijetuar dot dhimbjeve.
Ndërkaq, Kryeministri Sali Berisha ka porositur Ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili të bëhet çdo gjë për të ju garantuar të plagosurve ndihmën më të kualifikuar në qendrat shëndetësore më të mira brenda vendit dhe jashtë tij, ku të jetë e nevojshme. Kreu i qeverisë, z. Berisha shpreh ngushëllimet e tij më të thella për këtë ngjarje të rëndë.
Ndërsa, Prefekti i Vlorës, Eduard Velçani u apeloi drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë në aksin Himarë-Sarandë, të mos bllokojnë qarkullimin e autoambulancave dhe forcave policore në vendngjarje.
Në një njoftim për shtyp, Policia e Shtetit njoftoi se 22 studente janë nxjerrë nga rrënojat e autobusit pa dëmtime të rënda.
Rektori i Universitetit të Elbasanit, Liman Varoshi i cili po udhëton drejt Himarës, deklaroi se studentët e këtij universiteti janë nisur sot për një ekspeditë mësimore në qytetin e Sarandës. Sipas tij, nga Elbasani janë nisur 3 autobusë me studentë të degës së Gjuhë-Letërsi ku njëri prej tyre ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në një humnerë prej 100 metra.
Drejtuesi i automjetit është Pëllumb Çela (55 vjeç), i cili siç u shpreh drejtori i Spitalit të Himarës, ka vdekur në aksident.
Në vendngjarje mbërritën me urgjencë forcat speciale të RENEA-s si dhe helikopterë të ministrisë së Brendshme, asaj të Mbrojtjes dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për të bërë të mundur transportimin e studentëve të lënduar.
Ora 17:45 Sipas drejtorit të spitali të Vlorës, Shkëlqim Selami nga ky spital ndodhen në vendngjarje 7 ambulanca, ndërkohë që nga drejtori i Spitalit të Sarandës, Arben Vogli mësohet se edhe ky spital janë vendngjarje 5 autoambulanca në ndihmë të tyre.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje autobusi është shkatërruar plotësisht nga rënia në lartësi prej 80-100 m.
Berisha: Tragjedi për vendin, ndërpreva punimet e samitit, kthehem në Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot gjatë një bisede telefonike për Abc News se ka ndërprerë punimet e Samitit të NATO-s në Çikagos, për t’u kthyer në atdhe, pas aksidentit tragjik në segmentin rrugor Himarë-Sarandë. “Samiti i NATO-s vazhdon, por unë momentalisht ndodhem në aeroport, për t’u kthyer në Shqipëri. Isha ndër të parët që e mësova lajmin. Kanë informuar disa burime njëkohësisht nga Tirana. Jam lidhur me të gjitha agjencitë, të gjitha ministritë dhe e kam ndjekur në mënyrë konstante. E kam ndjekur thuajse çdo moment dhe jam përpjekur që të merren të gjitha masat për një ndihmë emergjente, sa më të shpejtë dhe sa më eficente. Besoj se ka patur një mobilizim, angazhim shumë serioz, por aksidenti është shumë tragjik dhe unë dua që me këtë rast t’u shpreh të gjithë të plagosurve urimin tim për një shërim sa më të shpejtë. Kam porositur Ministrinë e Shëndetësisë për marrjen e të gjitha masave. Në orët e para të mëngjesit unë do të jem në Tiranë”- u shpreh kryeministri Berisha, gjatë bisedës telefonike për Abc News, nga aeroporti i Çikagos, në pritje për t’u kthyer në Shqipëri.
Qeveria shpall 22 majin ditë zie kombëtare
Me kërkesë të Kryeministrit Sali Berisha, Këshilli i Ministrave, për të nderuar kujtimin e viktimave të aksidentit tragjik të Himarës, në të cilin humbën jetën 12 studente në lulen e rinisë së tyre, vendosi të shpallë datën 22 maj, ditën e martë, ditë zie kombëtare. Kryeministri, në emrin e tij personal, të familjes së tij dhe të qeverisë shqiptare u shpreh familjeve të viktimave të këtij aksidenti, që ka sjellë dhimbje e pikëllim të thellë në çdo vatër dhe zemër shqiptare, ngushëllimet më të thella, solidaritetin më njerëzor. Për të qenë i pranishëm në ditën e zisë dhe për të ndarë dhimbjen dhe zinë me familjet e viktimave dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë, Kryeministri po bën çdo përpjekje për t’u nisur menjëherë në Tiranë.
Drejtori i Spitalit Ushtarak të Tiranës, Bedri Mihaj: Njëra nga studentet mbërriti pa jetë
Drejtori i Spitalit Ushtarak të Tiranës, Bedri Mihaj deklaroi para pak minutash se një prej studenteve ka mbërritur e vdekur në Spitalin Ushtarak pa patur mundësinë t’i jepet ndihma. “Mjekët janë të specializuar, të qendrës sonë të traumës. Atyre po u bëhet gjithë shërbimi i nevojshëm që të dalin nga situata e shokut që kanë kaluar dhe ne po precizojmë ekzakt gjithë dëmtimet dhe nevojat që kanë. Pjesa e konsiderueshme ka nisur trajtimin reanimator dhe ekipet e mjekëve janë në kokë të tyre. Deri më tani ka vdekur vetëm një vajzë e cila erdhi e vdekur dhe nuk na dha mundësinë për ta ndihmuar. Deri më tani janë dy në gjendje të rëndë dhe shpresoj që ta kalojnë, lutemi të mbeten në jetë. Deri tani kanë ardhur 11 vetë dhe presim të vijnë edhe katër të tjerë”- u shpreh drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihaj.
Dëshmia e studentes: Autobusi udhëtonte me shpejtësi
Në një dëshmi telefonike, njëra prej studenteve që udhëtonte në autobusin e aksidentuar, e quajtur Tisjana Hysa, e cila ndodhet tashmë jashtë rrezikut për jetën ka bërë edhe rrëfimin e parë, për të zbardhur shkakun e aksidentit. Sipas saj, autobusi udhëtonte me shpejtësi të madhe. Ajo shton se shkak për aksidentin është bërë shpejtësia.
Emrat e Studenteve që udhëtonin me autobusin e aksidentit
Eriselda Gubere, Eriselda Coku, Erjana Geshtenja, Ermira Mana, Fabjola Shefi, Florie Peci, Gerta Kasmeto, Griselda Zeneli, Griselda Gilani, Isjana Karriqi, Ismarta Klosi, Joana Debinja, Luljana Kuqi, Juljana Tola, Kaltra Kokozhani, Laureta Cani, Lindita Kabashi, Lirie Hasa, Oliverta Dhembi, Oltjana Beqiri, Tisjana Hysa, Anisa Çobaj, Enkelejda Berberi, Adjola Musaku, Hanife Xhepexhiu, Anila Suli, Shegushe Haka, Oltjana Hyzo.
Kryebashkiaku i Himarës, Goro: Luftuam për shpëtimin e çdo jete
Kryetari i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro konfirmoi se 11 persona (12 bashkë me studenten që ndërroi jetë në spitalin Ushtarak të Tiranës), kanë humbur jetën si pasojë e aksidentit tragjik, të ndodhur pasditen e sotme në qafën e Vishës. Kryebashkiaku Goro shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave dhe i siguroi ata se “do të kenë ndihmën e institucioneve lokale deri në momentin e fundit, për çdo nevojë që do të kenë.” “Ishte një nga ngjarjet më të rënda që ka ndodhur vitet e fundit në Himarë. Është bërë ç’është e mundur që tu jepej ndihmë sa më parë të lënduarve”- u shpreh Goro.
Aksidenti, informacioni paraprak i Policisë së Shtetit për ngjarjen
Rreth orës 16.15’ të ditës së sotme është marrë informacion se në aksin rrugor Vlorë- Himarë, në vendin e quajtur Qafa e Vishës, një autobus me targë El 22 74 B, me të cilin po udhëtonin disa studentë ka dalë nga rruga.
Menjëherë, drejt vendngjarjes janë nisur forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, të Repartit Delta Force dhe të Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore për të dhënë ndihmën e nevojshme dhe për të menaxhuar situatën. Duke vlerësuar ngjarjen e ndodhur, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur grupi i punës për menaxhimin e situatës.
Ndërkohë drejt vendngjarjes janë nisur helikopterë të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe të Ministrisë së Mbrojtjes.
Aktualisht në vendin e ngjarjes nga strukturat e Policisë së Shtetit po bashkëpunohet dhe me strukturat e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe me strukturat e shëndetësisë.
Deri në këto momente janë nxjerrë nga automjeti dhe janë transportuar drejt ambienteve spitalore 22 studente. Strukturat e Policisë së Shtetit të pranishme në vendngjarje po punojnë për t’i dhënë ndihmën e nevojshme të dëmtuarve nga kjo ngjarje dhe transportimin e tyre drejt ambienteve spitalore, si dhe për përcaktimin e shkaqeve që çuan në këtë aksident të rëndë.
...