Tragjedia e Restelicës, në gjendje të mirë e mbijetuara 5-vjeçare
Amsera Reka, vajza që i mbijetoi tragjedisë në fshatin Restelicë, e cila prej dy ditësh vazhdon të qëndrojë në spitalin e Prizrenit është në gjendje të mirë shëndetësore.
Drejtori i Spitalit të Prizrenit, Myzafer Kalanderi, është shprehur se vajza që i mbijetoi tragjedisë, tashmë është në gjendje mjaftë të mirë shëndetësore. Ai ka thënë se Amsera e vogël tashmë gjendet në një dhomë, të cilën ajo e ka improvizuar si dhomë e shtëpisë së saj, dhe po luan me lodrat e shumta që i janë ofruar. Megjithëse ajo nuk ka nevojë për trajtim të mëtejshëm në spital, Kalanderi ka thënë se ajo do të qëndrojë aty deri sa të ketë nevojë, pasi tashmë është vajzë e vetme pa familje dhe ata janë të gatshëm ta mbajnë në spital, derisa familjarët të vendosin ta tërheqin nga aty.
Vajza e vogël Amsera e ka gjendjen shumë të mirë. Tani është qetësuar edhe pse faktikisht ajo ende nuk e di se çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe çfarë po ndodh. Asaj po i rri pranë gruaja e dajës. Ajo ska kurrfarë dhimbje dhe sot është ngritur dhe po luan me lodra në dhomën e saj. Tani ajo nuk është për të qëndruar në spital, sepse nuk ka nevojë më tepër të trajtohet, por ka mbetur vetëm dhe kjo varet prej familjareve, mirëpo ne do ta mbajmë këtu aq kohë sa ajo të ketë nevojë, ka thënë ai.
Kalanderi më tej ka bërë të ditur se nesër pritet që vajzës ti bëhet edhe një vizitë te psikologu, për tu konstatuar gjendjen reale e saj.
Në tragjedinë që ndodhi dy ditë më parë në fshatin Restelicë, ku një ortek bore goditi shtëpitë e këtij fshati, humbën jetën 9 persona, mes të cilëve edhe familja e Amserës 5-vjeçare. /Kosovapress