Tragjedia, infarkti i merr jetën Besian Idrizajt
Ndahet nga jeta në moshën 22-vjeçare Besian Idrizaj. Sulmuesi me pasaportë austriake, i cili së fundmi kishte shprehur dëshirën të luante me përfaqësuesen shqiptare, mbylli përgjithmonë sytë të shtunën në apartamentin ku jetonte me familjen në Linz, për shkak të një infarkti. Ishte vëllai i tij, Qerimi, i cili luan me Union Baumgartenberg në ligat e ulëta në Austri, ai që e kuptoi i pari tragjedinë. Por ishte shumë vonë për të shpëtuar jetën e Besianit, megjithëse 24-vjeçari u përpoq me të gjitha mënyrat. Futbollisti me origjinë kosovare militonte me Suansi Sitin në çempionshipin anglez dhe cilësohej si një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit austriak. Lojtari ishte kthyer vetëm prej një jave pranë familjes, pas përfundimit të kampionatit në Angli. Duke folur për mediat, Qerim Idrizaj deklaroi: “Besiani u nda nga jeta. Për momentin nuk mund të them më tepër”.
Në karrierën si profesionist, Besian Idrizaj kishte pësuar dy kolapse për shkak të problemeve në zemër. Më 20 shkurt të vitit 2008, kur mbronte ngjyrat e Uaker Insbruk ai ra pa ndjenja në fushë, në sfidën kundër Shturmit të Gracit. Vetëm një muaj pas atij episodi, sulmuesi u lejua të kthehej normalisht në stërvitje. Kolapsi i dytë ishte regjistruar më nëntor 2008, gjatë një prove te LASK Linz dhe u dërgua menjëherë në spital. Ai ishte nën kontratë me anglezët e Suansi Sitit, me të cilët ka luajtur vetëm tri ndeshje. Talenti i Idrizajt spikati në moshën 16-vjeçare, kur debutoi me LASK në elitën e futbollit austriak. Në sezonin 2004-’05, ai fitoi çmimin si “Lojtari më i Mirë i Ri” në Bundesligë. Gjatë pjesëmarrjes në Kampionatin Europian për U-17 në Francë, sulmuesi la përshtypje të mira te zbuluesit e talenteve të Liverpulit. Në verën e vitit 2005, Besiani firmosi me “Reds”, por asnjëherë nuk arriti të debutonte në ekipin e parë. pas aktivizimeve me ekipin rezervë, ai u transferua në formë huazimi fillimisht te Luton Taun e më pas te Kristal Palas.