E Diel, 1 Nëntor 2026

Josip Kuzhe kërkon mbrojtës, por grumbullon shtatë sulmues

Publikohet lista për miqësoret me Malin e Zi dhe Andorrën

Trajneri Josip Kuzhe ka publikuar listën me futbollistët që do të ketë në dispozicion për miqësoren e 25 majit kundër Malit të Zi në Podgoricë dhe ndeshjen e 2 qershorit në Tiranë kundër Andorrës. Ajo që bie më shumë në sy është mbipopullimi i sulmit, në një kohë kur drejtuesi i stolit kuqezi deklaron se kërkon mbrojtës. Nuk mund të anashkalohet as entuziazmi i teknikut kroat, pavarësisht faktit se pjesa më e madhe e “legjionarëve” janë rezerva në klubet e tyre.

E nisim nga mbrojtja, ku emri i ri është Ditmar Bicaj, ndërsa keni rikthyer edhe Endri Vrapin. Ndoshta jeni detyruar të ktheheni mbrapa në kohë?

Mund të them vetëm që kemi nevojë për 7-8 lojtarë në mbrojtje. Kam besim të gjithë futbollistët që kam grumbulluar në kombëtare.

Më parë kishin thënë se do të kishit në konsideratë edhe Admir Telin, por ai nuk ndodhet në listë…

Nuk kemi informacionet e nevojshme për ecurinë e tij, por kjo nuk do të thotë se ky futbollist e ka derën të mbyllur. çdo lojtar që mund të japë kontribut për Shqipërinë është i mirëpritur. Rreth Telit do të shohim se çfarë mund të bëjmë në gusht.

Po rreth Elvin Beqirit çfarë mund të thoni?

Kjo listë është zgjedhja e momentit, pra për dy ndeshjet miqësore të radhës. Në muajin gusht, mund t’i grumbullojmë këta lojtarë. S’mund të them asgjë më shumë.

Keni grumbulluar edhe lojtarë që nuk luajnë fare. Në eliminatore do të kemi një skuadër me lojtarë rezervë?

Kjo është një histori që mund të vlejë për Anglinë, por jo për Shqipërinë. Kemi shumë lojtarë që nuk luajnë, por që duhet t’i grumbullojmë si Salihi dhe Bogdani. është e vërtetë që nuk luajnë si titullarë, por ata janë esencialë për kombëtaren. Do të kisha dëshirë që të luanin më shumë, por do të grumbulloj lojtarë të cilët janë të nevojshëm për ekipin.

Një problem është Skela, pasi Koblenci ra nga kategoria. A ka ndonjë garanci se fantazisti nuk do t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur?

Nuk ka informacione për Skelën, madje edhe vetë Ervini besoj se nuk e di me saktësi ku do të luajë sezonin e ardhshëm. Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe kam bindjen se nuk do ta ketë të vështirë të gjejë një skuadër të mirë. Shpresoj që Skela të jetë i realizuar në aspektin profesional, sepse kështu do të ndihmonte edhe Kombëtaren. Mosaktivizimi i tij është problematik, por edhe një vit më parë ai luante në nivele të larta me përfaqësuesen edhe pse qëndroi 4 muaj pa ekip. Kundër Irlandës së Veriut ishte një prej më të mirëve në fushë.

Një pjesë e lojtarëve kanë kaluar një sezon të vështirë, ndërsa disa të tjerë në Ukrainë nuk luanin aspak…

Do të doja që lojtarët të luajnë sa më shumë me skuadrat e tyre. në fakt, ka nga ata që nuk luajnë fare me ekipet e tyre, por ka edhe elementë si Cana, Curri, Dallku, të cilët janë titullarë dhe mund të ndihen të lodhur. E di që nuk luajnë të gjithë dhe në këto miqësore dua të verifikoj gjendjen e tyre: nëse janë gati për miqësoret dhe ndeshjet e shtatorit. Me Malin e Zi dhe Andorrën do të provojmë skemat për sfidat eliminatore me Rumaninë dhe Luksemburgun, por më së shumti kërkoj të marr informacione nga skuadra ime.

Në të kaluarën, me Andorrën kemi humbur dhe një trajner është shkarkuar... Ju tremb ky fakt?

Me Andorrën duhet të eksperimentojmë lojën tonë. Do të mundohemi me çdo kusht që ta fitojmë këtë ndeshje.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›