E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia lirike e Belinit premierë në TKOB

30/01/2009  “Norma”

Është konsideruar si një nga rolet më të vështira për një soprano. I tillë që kërkon një vokal të jashtëzakonshëm, që të mund të kontrollojë shtrirjen, fleksibilitetin dhe dinamikën. Megjithatë, për vetë këto “sfida” dhe historinë thellësisht emocionuese, Norma ka joshur përherë këngëtaret më të njohura kudo në botë.

Tragjedia lirike, opera me dy akte e Vincenco Belinit vjen tanimë premierë edhe në skenën shqiptare, duke çelur kështu realisht edhe sezonin artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit për vitin 2009. “Norma” do të ngjitet premierë mbrëmjen e 7 shkurtit nën interpretimin e sopranos Etleva Golemi dhe regjinë e Nicola Zorzit, duke sjellë kështu për publikun edhe një shfaqje të munguar, që vjen për të parën herë pas një vënieje skenike në dhjetë vjet më parë.

Me skenografi nga Genc Shkodrani, kostume të realizuara nga Anila Zajmi, dirigjent kori Dritan Lumshin, dirigjent i shfaqjes është sërish një i huaj, Edi de Nadai. Sopranoja Golemi do të shoqërohet në interpretimin e saj nga sllovaku Branko Robisak dhe Shpresa Beka, Armando Likaj, Aleksandër Rrapi dhe kori e orkestra simfonike e TKOB-it.

Subjekti...

Shoqëruar nga një e folur dramatike, sopranoja duhet të mbulojë shtirjen e gjerë e emocioneve që një grua mund të përjetojë: konfliktin e jetës personale me atë publike, dashuria romantike, dashuria mëmësore, miqësia, xhelozia, synimi vrasës dhe dorëheqja. Libreti i Felice Romanit dhe muzika e mrekullueshme e Belinit i kanë të përfshira thellësisht të gjitha këto. Dashuria sekrete, vitet e tëra të një lidhjeje dhe tradhtia. Norma është gruaja e tradhtuar, që natyrshëm në çastin e parë kërkon hakmarrjen, porse dashuria e thellë e çon në skajin ku më në fund sakrifikohet edhe me vdekjen e vet. E lidhur me Polionen, konsullin romak, me të cilin ka dy fëmijë, Norma zbulon dashurinë e Poliones për Adalxhisn, një virgjëreshë e dëlirë dhe e re e tempullit.

Polione është lodhur nga vite të tëra bashkëjetese me Norman. Adalxhisa pranon të shkojë në Romë me Polionen, pavarësisht devocionit të saj dhe virtytit e në mënyrë të pafajshme i tregon Normës për dashurinë që ndien. Në aktin e dytë Norma ndodhet në apartamentin e saj dhe është thuajse gati të vrasë fëmijët e vet. Por më në fund është dashuria për ta që bën t’ia besojë kujdesit të Adalxhisës. Kur Polione vjen të marrë Adalxhisën nga tempulli, Norma e denoncon atë dhe ai mbërthehet nga priftërinjtë, pasi ka refuzuar të heqë dorë nga Adalxhisa. Norma e shpall veten gjithashtu fajtore bashkë me të. Vetëm këtu Polione kupton ndjenjat e thella të Normës, e cila vdes bashkë me të.

Një historik i shkurtër...

E shfaqur së pari më 26 dhjetor 1831 në La Scala, “Norma” është konsideruar si shembull i peshës supreme të traditës së Bel Canto-s. "Casta diva" ishte një nga zonat më familjare në shekullin XIX. Në një letër që daton 1 shtator 1831, Belini i shkruante sopranos Giudita Pasta se "Romani beson [se ky subjekt] do të jetë shumë efektiv dhe absolutisht ideal për karakterin tuaj enciklopedik, sepse është lloji i karakteri që ka Norma". Në të vërtetë vokali dhe linja dramatike e Pastas ishte enciklopedike: atë mars ajo kishte krijuar një rol shumë të ndryshëm të Belinit, Aminan, një interpretim i ndjeshëm lirik i një shërbyeseje fshati zvicerane në “La sonnambula”. Gjatë shekullit XX shumë këngëtarë janë përpjekur të sjellin rolin e priftëreshës së torturuar të Belinit me sukses të ndryshëm. Në fillim të vitit 1920 Rosa Raisa, Claudia Muzio dhe Rosa Ponselle e sollën në mënyrë të admirueshme rolin e Normës. Më 1960, dy shfaqje të ndryshme iu veshën kësaj figure: virtuozja australiane Dame Joan Sutherland dhe turkja Leyla Gencer. Më 1970, tri specialiste të Bel Canto-s debutuan Normat e tyre: Montserrat Caballé, Beverly Sills, dhe Renata Skoto. Por nuk mund të mos përmenden edhe interpretimet e Grace Bumbry dhe Shirley Verret, dy diva të famshme afrikanoamerikane. Norma më e famshme e pasluftës ishte pa dyshim Maria Callas, me 89 shfaqje skenike, një pjesë e mirë e të cilave janë të regjistruara.

Gjatë viteve 1980 dhe 1990 roli Normës është interpretuar nga këngëtare të ndryshme, si Katia Riçiarelli, Anna Tomoëa-Sintow, Marisa Galvany, Dame Gwyneth Jones, dhe Jane Eaglen. Normat bashkëkohore përfshijnë Fiorenza Cedolins, Galina Gorchakova, Hasmik Papian, Maria Guleghina, Nelly Miricioiu, June Anderson dhe Edita Gruberova.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›