E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në shkurt bashkia do të ndajë 48 apartamentet për të pastrehët

30/01/2009  Këtë vit pritet ndërtimi i një kompleksi të ri

DURRES- Bashkia e Durrësit ka vendosur të ndajë në muajin shkurt 48 apartamentet për të pastrehët e saj. Procesi i pikëzimit dhe listimit është nxitur nga debate të forta e të ashpra mes këshilltarëve të grupimeve politike në bashki. Bashkia nga ana e saj ka fajësuar këshilltarët e djathtë për shtyrjen disa herë të shpalljes së listës. Ndërkohë nga kampi i djathtë është thënë se bashkia dhe departamenti i shërbimeve ka më shumë se 6 muaj që ka në sirtar jo vetëm pikëzimin, por edhe dosjet e plota. Madje këta të fundit kanë akuzuar kreun e bashkisë se është nën trysninë e personave të caktuar, të cilët kërkojnë të mos marrin në konsideratë listën me pikët e fituara nga çdo aplikant. Bashkia ka pohuar se lista e kërkuesve për të përfituar një nga 48 apartamentet ka shkuar në 350 familje të gjithë të pastrehë. Megjithatë, gjithnjë sipas bashkisë, kjo çështje do të marrë zgjidhje në takimin e parë të këshillit që do të mbahet fill pas buxhetit. “Këshilli fillimisht do të mblidhet për të diskutuar buxhetin e bashkisë dhe në shkurt, diku nga java e fundit, do të vendosë përfundimisht për listën e përfituesve të një apartamenti”,-ka pohuar Dako. Bashkia e Durrësit pritet të nisë në janar punën për ndërtimin e kompleksit të ri të pallateve për të pastrehët pas përfitimit të kredisë prej 3.5 milionë euro. Në fakt bashkia e Durrësit kishte miratuar në buxhetin e viti 2008 një shumë prej 50 milionë lekëve të reja për ndërtimin e një pallati 24 hyrjesh për të pastrehët. Në vazhdën e këtij problemi, në kohën që u miratua buxheti i vitit 2008 në këshilli bashkiak, u deklarua se 50 milionë lekë të tjera do të ishin për ndërtimin e një pallati tjetër parashikuar në buxhetin e vitit 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›