Tragjedia në Adriatik, rinisin kërkimet për 8 marinarët
Mbetet mister fati i marinarëve të zhdukur në ujrat ndërkombëtare. Mësohet se mëngjesin e sotëm kanë rinisur kërkimet për gjetjen e trupave të 8 anëtarëve të ekuipazhit të anijes turke "Reina 1", që rezultojnë të zhdukur pas përplasjes së anijes me tragetin "Ankara".
Një anije e fuqishme ushtarake e flotës turke "Barbaros" është bashkuar me anijen "Iliria" për zhvilluar kërkimin e marinarëve të mbytur.
Anija tregtare "Reina 1", e cila ishte nisur nga Rusia drejt Malit të Zi është përplasur për shkaqe ende të paqarta me tragetin "Angakara" të linjës Durrës-Bari, ndërsa në këtë të fundit ndodheshin 196 pasagjerë të cilët fatmirësisht nuk kanë pësuar dëmtime.
Kërkimet kanë filluar që prej ditës së djeshme, ku janë përfshirë ushtria, policia kufitare, shtabi i emergjencës dhe Guardia di Finanza, të cilët kanë vënë menjëherë në gadishmëri për të menaxhuar situatën por pavarësisht kërkimeve intensive ende nuk dihet asgjë për marinarët e zhdukur.
Ndërkohë mësohet se ambasadori turk Hasan Asan është takuar me prefektin e Durrësit Genci Alizoti si dhe ka vizituar edhe dy të mbijetuarit e tragjedisë në Adriatik.