E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tragjedia në Greqi, 5 marsi ditë zie kombëtare në Shqipëri!

5 marsi është shpallur ditë zie kombëtare në Shqipëri në nderim të viktimave nga aksidenti tragjik në Greqi, ku humbën jetën 57 persona, mes të cilëve edhe shqiptarë.

Më 5 mars flamujt në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike shqiptare do të ulen në gjysmështizë. Kryeministri Rama tha se Shqipëria do të bashkohet në mënyrë simbolike me Greqinë mike në këtë dhimbje për jetët e humbura.

“Tragjedia e Greqisë është edhe tragjedia jonë, dhimbja për jetët e humbura në aksidentin e tmerrshëm është edhe jona dhe ky është një nga ato momente jetësore, kur një humbje e madhe tek fqinji të tregon më shumë se sa njëqind gëzime që jetët tona janë të ndërlidhura pazgjidhshmërisht, e se duhet të bëjmë çmos që t’i bëjmë ato sa më të mira, duke bashkëpunuar gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin.

Ditën e dielë Shqipëria do të nderojë me një ditë zie viktimat e tragjedisë, duke u bashkuar simbolikisht me Greqinë mike me flamurin kombëtar të ulur në gjysëm shtize”, shkruan Rama.

Më 1 mars një tren pasagjerësh që nisej nga Athina drejt Selanikut me një tren mallrash janë përplasur kokë më kokë në zonën e Tempes në Greqinë Veriore, ku deri më tani janë shënuar 57 viktima dhe me dhjetra të plagosur.

Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur edhe disa shtetas shqiptarë, të cilët po trajtohen në Spitalin Universitar dhe Spitalin e Përgjithshëm të Larisës. Pasditen e 2 marsit, ambasadorja shqiptare në Greqi, Luela Hajdaraga konfirmoi për rtsh.al emrat e 3 prej 4 shqiptarëve me statusin e të zhdukurit gjatë aksidentit tragjik.

Klaudia Lata, studentja 21 vjeçare e mjekësisë, Pavlin Bozo dhe Denis Ruçi, pasagjer në tren,  rezultojnë ende të zhdukur.

Ndërkohë shqiptarët Roberto Dristi 25 vjeç dhe Anisa Liuri 23 vjeç po trajtohen në Repartin e Mjekimit Intensiv, ndërsa 7 shtetas me nënshtetësi shqiptare rezultojnë të lënduar, jashtë rrezikut për jetën.   

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›