Tragjedia në Greqi, Mitsotakis kërkon falje publike

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u ka kërkuar falje publike të afërmve të viktimave pas aksidentit tragjik mes dy trenave, që mori jetën 57 personave në Tempe.
“Si kryeministër, u detyrohem të gjithëve, veçanërisht familjarëve të viktimave, të kërkoj falje. Sigurisht që ua kam borxh të gjithëve, por mbi të gjitha të afërmve të viktimave, një ndjesë e madhe, aq personale, aq edhe në emër të të gjithë atyre që drejtuan vendin prej vitesh.
Në Greqinë e vitit 2023, nuk është e mundur që dy trena të lëvizin në drejtime të kundërta në të njëjtën linjë dhe të mos vihen re nga askush. Ne nuk mundemi, nuk duam dhe nuk duhet të fshihemi pas gabimit njerëzor”, tha Mitsotakis.
Tragjedia ku dy trena u përplasën kokë më kokë u mori jetën 57 personave, mes të cilëve edhe 4 shqiptarë, ndërsa la me dhjetëra të tjerë të plagosur. Për ngjarjen në të gjithë Greqinë, ka pasur protesta të mëdha, ku tërbimi I turmës i është drejtuar kryesisht kompanisë hekurudhore dhe paaftësisë së autoriteteve për të operuar siç duhet rrjetin hekurudhor të vendit.
Për ngjarjen drejtuesi i stacionit në Larisa ka marrë përgjegjësinë për faktin se dy trenat kanë qenë në të njëjtën binar dhe janë përplasur.
59-vjeçari u arrestua menjëherë pas aksidentit dhe akuzohet për vrasje nga pakujdesia.
/rtsh.al/