Vuçiç: Serbia nuk i ka shitur asnjë armë Ukrainës dhe Rusisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç theksoi se Beogradi nuk i ka shitur asnjë armë apo municion Ukrainës apo Rusisë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e OKB-së në Katar, Vuçiç tha se Serbia nuk i ka dërguar asnjë armë asnjërës nga palët në atë konflikt.
“Ne nuk kemi shitur asnjë armë, mjet apo municione, as në Rusi dhe as në Ukrainë. Ne jemi të pastër si loti”, tha Vuçiç teksa theksoi se Serbia i përmbahet ligjeve ndërkombëtare raporton Tanjug.
Ata që pretendojnë të kundërtën, tha Vuçiç janë “gënjeshtarë dhe duhet të kenë turp, sepse e dëmtojnë Serbinë”.
“Për Serbinë, sipas ligjit ndërkombëtar, ka të ashtuquajtur konsumatorë të autorizuar dhe Serbia mund të eksportojë vetëm në vende të tilla. Ne kemi bërë gjithçka në përputhje me ligjin, jemi të pafajshëm si qengj”, tha Vuçiç.
Në fillim të marsit, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova deklaroi se Serbia i dorëzoi Ukrainës mijëra raketa .
Zakharova citoi raportet e disa mediave ruse, ku sipas saj thuhet se “një fabrikë armësh në pronësi të Serbisë së fundmi furnizoi rreth 3,500 raketa për trupat ruse dhe ukrainase. Raketat 122 mm dyshohet se janë dorëzuar në Ukrainë nëpërmjet Turqisë dhe Sllovakisë”.
/rtsh.al/