E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dorëheqje, dorëheqje!” Studentët te Kryeministria. Policia ende përdor gaz lotsjellës

Protesta e studentëve në Tiranë është përshkallëzuar pasditen e sotme përpara Kryeministrisë, ku demonstruesit kanë vijuar tubimin me thirrjet “Dorëheqje, dorëheqje!”, duke kërkuar largimin e Edi Ramës nga detyra e kryeministrit.

Policia ka ndërhyrë duke hedhur gaz lotsjellës dhe bombola shpërthyese në drejtim të protestuesve, në përpjekje për të shpërndarë turmën. Pavarësisht tensioneve, demonstruesit kanë vijuar qëndrimin në bulevardin përballë godinës së qeverisë.

Gjatë ditës, studentët e kanë zhvendosur protestën nga Ministria e Arsimit drejt Ministrisë së Financave dhe më pas në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Gjatë tubimit në Ministrinë e Financave, disa protestues kanë hyrë në ambientet e institucionit. Sipas raportimeve, prej andej janë nxjerrë disa objekte, të cilave më pas u është vënë flaka.

Kryeministria është kthyer në pikën kryesore të protestës, ku studentët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës, ndërsa situata mbetet e tensionuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›