Trainini dhe Krantja në koncert
Roberto Trainini, violonçelist vjen nga Italia për një recital me Orkestrën Simfonike të Radio-Televizionit Shqiptar nën drejtimin e Ermir Krantjes. Më 24 shkurt, ora 19.00, në skenën e madhe të Universitetit të Arteve në Tiranë. Në program: Koncert për violonçel dhe orkestër nga Robert Schumann, Tablo nga ekspozita e Modest Mussorgsky-t të orkestruara nga Maurice Ravel, si dhe Largo për harqe të kompozitorit kosovar Rafet Rudi.
Roberto Trainini është afirmuar për muzikë dhome dhe si solist me repertorin që shtrihet nga baroku i parë deri tek muzika bashkëkohore. Në vitet 2004-2009 ka qenë violonçel i parë solist i Operës së Lüneburg-ut, pastaj i Orkestrës së Shtetit të Qipro-s, Nikosia. Është anëtar themelues i Gjashtëshes së Harqeve të Hamburg-ut dhe të Anton Rubinstein Piano Trio.
Koncerti vjen si rezultat i bashkëpunimit të Institutit Italian të Kulturës në Tiranë dhe RTSH-së për realizimin e katër koncerteve të Stinës koncertore 2012 të Orkestrës së RTSH-së. Në vijim priten koncertet me pjesëmarrjen e Mjeshtrit Ettore Papadia dhe Assisincanto Chorus Girolamo Diruta.