Trajanovski premton respektimin e dygjuhësisë në Shkup

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski më në fund është prononcuar për Alsat për moszbatimin e gjuhës shqipe nga shumë ndërmarrje që janë nën kompetencë të tij.
Trajanovski pranon se nuk është zbatuar deri në fund ligji për përdorimin e gjuhëve, por premton se do të angazhohet që të gjitha ndërmarrjet që janë nën kompetencë të tij të respektojnë dygjuhësinë ashtu siç e aplikon vetë Qyteti i Shkupit.
“Qyteti i Shkupit aspak nuk ka anashkaluar gjuhën shqipe por përkundrazi po angazhohet në zbatimin e dygjuhësisë në mbarë qytetin e Shkupit dhe në ndërmarrjet publike të qytetit. Mendojë se kësaj pune po i shihet fundi dhe nuk duhet që të krijojmë ndasi mes njerëzve, por duhet të caktojmë afate se kur e gjithë kjo do të përfundojë.
Ndërmarrjet publike d.m.th u angazhuan në implementimin e dygjuhësisë, nuk është deri në fund i implementuar ligji për përdorimin e gjuhëve por kemi bërë një përparim të madh, nga viti 2009 e këtej”, deklaroi Koce Trajanovski, kryetar i Qytetit të Shkupit.
I pyetur se çfarë ndodh me faturat vetëm në një gjuhë të Ndërmarrjes Publike ‘Ujësjellësi dhe Kanalizimi’ dhe tabelat nëpër hyrje të ndërmarrjeve tjera sikur edhe zbatimi i gjuhës shqipe në instancat tjera nga ana e tyre Trajanovski tha se edhe ato së shpejti do të jenë edhe në gjuhën shqipe.
“Gjithashtu po punohet në faturat e NP’ Ujësjellësi dhe Kanalizimi’ dhe duke marrë parasysh se është punë e softuerit dhe kur dihet se duhet të përdoret edhe në cirilikë dhe alfabetin latin d.m.th që ato fatura të mund të jenë edhe në shqip dhe unë besojë se kjo do të realizohet gjatë vitit 2013, supozoj gjatë 6 mujorit të dytë. Tabelat në numër më të madh, në një ose dy ndërmarrje publike janë vetëm në maqedonisht, por edhe ato do të jenë së shpejti, ndoshta për 1 muaj edhe në shqip”, ka theksuar Trajanovski.
Kryetari i Shkupit Trajanovski vonesat në anashkalimin e gjuhës shqipe nga ndërmarrje publike nën kompetencë të tij i arsyetoi me faktin se menaxhmenti i tyre kanë qenë i angazhuar në ngritjen në këmbë të këtyre ndërmarrjeve që të mund të vetëfinancohen. Rikujtojnë se nga hulumtimi i televizionit Alsat për zbatimin të dygjuhësisë ka rezultuar se shumë ndërmarrje publike të qytetit të Shkupit nuk zbatojnë dygjuhësisë edhe pse për një gjë të tillë drejtuesit e tyre mund të dënohem me burg deri më 5 vjet. Ndaj disa prej tyre tashmë edhe janë ngritur padi penale para prokurorisë së Shkupit. /Indeksonline/