Rendi i Isës
Isa Mustafa duket se ka vendosur të vendosë rregulla të reja në Lidhjen Demokratike të Kosovës duke marrë kompetenca shtesë për të vazhduar udhëheqjen e partisë.
Të paktën kështu është shfaqur të shtunën në debatin e organizuar në Prishtinë, ku ka folur për reformë brenda partisë dhe për ndryshimin e statutit.
Ai u ka dërguar mesazhe vartësve partiakë se nuk do t`i lejojë ta prezantojnë LDK’në ashtu qysh ka ndodhur deri më tash.
“LDK’ja është unike, LDK’ja është e fortë, LDK’ja është e organizuar, prandaj mesazhet duhet të shkojnë ashtu qysh është LDK’ja, e jo ashtu qysh disa individë dëshirojnë t`i prezantojnë në emër të LDK’së dhe për LDK’në. Do të organizojmë forma konkrete...”, ka thënë Mustafa para zyrtarëve të partisë, një pjesë e të cilëve nuk e ka dëgjuar.
Megjithëkëtë, lideri i LDK’së ka pasur një kërkesë për vartësit që kanë bërë zhurmë derisa ai ka lexuar fjalimin.
“Ju kisha lutur atje, Selver, A jeni t`uj majtë mbledhje tjetër atje, jo?”, ka pyetur Mustafa dhe ka vazhduar fjalimin.
E ka përmendur vizionin rugovian të LDK’së dhe ka premtuar se e njëjta rrugë do të vazhdojë edhe më tej.
“LDK’ja do ta ruajë fondamentin rugovian të saj dhe vlerat bazike dhe krahas kësaj, në programin dhe organizimin e anëtarësisë së saj do të profilizohet qartë në një konkurrencë shumëpartiake në Kosovë, në frymën e kërkesave të reja për ndërtimin e Kosovës dhe për përqafimin e vlerave europiane”, ka thënë Mustafa.
Ndryshe, LDK’ja po vazhdon debatin për ndryshimin e rregullores në bazë të së cilës funksionin.
Me statutin e ri parashihen kompetenca shtesë për Kryetarin dhe sanksionim për të gjithë ata zyrtarë që dalin publikisht dhe i kundërshtojnë politikat e LDK’së.
Krejt këto ndryshime, Mustafa i sheh si fuqizim dhe strukturim të partisë.
“LDK’ja të jetë një parti e profilizuar, me funksionalitet të lartë, me lidership të fortë, me komunikim profesional, të jetë një parti e qartë, bindëse dhe unike në mesazhe, me njerëz të aftë dhe të shkathtë, të zgjedhur në pushtetit qendror dhe në pushtetin lokal, me anëtarësi besnike dhe të përkushtuar dhe me platformë politike, e cila ofron qasje dinamike dhe pozitive për të ardhmen europiane të Kosovës”, ka thënë ai.
Lideri i partisë më të madhe opozitare që udhëheq edhe Komunën e Prishtinës, ka deklaruar se vizioni i LDK’së është për një Kosovë europiane.
“Ne synojmë t’i arrijmë është ndërtimi i një Kosove europiane, në të cilën do të forcohet demokracia qytetare, në të cilin do të sundojë ligji dhe do të respektohen të drejtat e njeriut, do të promovohet mirëqenia e qytetarit dhe zhvillimi ekonomik, do të stimulohet tregu i hapur dhe lëvizja e lirë e qytetarëve dhe e ideve, e mbështetur në arsim modern dhe shoqëri të dijes, në të cilën respektohen vlerat dhe tradita e qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar ai.
Ai ka theksuar se riorganizimi i LDK’së do të rishikohet edhe në diasporë, dhe në harmoni me përvojat dhe sugjerimet e partive europiane, do të vendosin se a do ta shuajnë degën e diasporës, apo do të vazhdojë së ekzistuari.
Debati i organizuar në Prishtinë për ndryshimet statutare të LDK’së është organizuar pas Gjilanit dhe pritet të vazhdojë në Lipjan, Pejë, Klinë dhe komuna të tjera.
Deri më tash, kundër propozimeve të reja të statutit të ri të LDK’së kanë dalë përkrahësit e Fatmir Sejdiut, Blerim Ramosaj dhe Haxhi Kamberi, të dy anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm.