Trajneri Bariç kërkon takim me Besart Berishën

Trajneri kroat Oto Baric ka kërkuar që t'i organizohet një takim kokë më kokë me talentin e Hamburgut, Besart Berisha. Këtë e ka konfirmuar shefi i sektorit të kombëtares në FSHF, Besnik Cela, i cili ka shpjeguar se trajneri i kombëtares është interesuar për kosovarin. "Trajneri ka qenë i interesuar për sulmuesin e Hamburgut, Besart Berisha dhe ka kërkuar që t'i organizohet një takim me kosovarin gjatë kohë që do të qëndrojmë në qytetin gjerman për grumbullim", - është shprehur Cela. Drejtuesit e FSHF-së janë interesuar shpeshherë për lojtarin, i cili vlerësohet shumë nga specialistët dhe cilësohet si një futbollist mjaft i vlefshëm për kombëtaren shqiptare. Edhe shefi i sektorit të kombëtares, Cela mund të ketë një takim me Berishën nëse i krijohet mundësia para grumbullimit të kombëtares.