Trajneri Kuzhe, i kënaqur për miqësoret e luksit të Dinamos
Sapo është paraqitur në ambientet e hotel “Tirana Internacional”, trajneri Josip Kuzhe ka nisur diskutimet me pjesëtarët e stafit të tij, për ecurinë e disa prej lojtarëve të Kombëtares. Gjatë bisedave me trajnerin e portierëve, Ilir Bozhiqi, drejtuesi i stolit kuqezi është njohur me përgatitjet e mira të katër lojtarëve të Dinamos, Elis Bakaj, Isli Hidi, Emilian Vila dhe Gjergji Muzaka. Gjatë fazës përgatitore të zhvilluar në dy pjesë (përpara dhe pas impenjimeve në eliminatoret e Champions League), skuadra kryeqytetase ka zhvilluar edhe shumë miqësore: në nëntë ndeshje testuese, skuadra e drejtuar nga Luis Manuel Blanko ka luajtur në tetë raste me kundërshtarë të huaj. Madje nuk kanë munguar as sfidat përballë emrave të mëdhenj, si me italianët e Palermos e spanjollët e Real Sociedadit në Austri apo ndeshja e fituar 1-0 me portugezët e Nacionalit, në Maribor të Sllovenisë.
Trajneri Kuzhe e ka vlerësuar faktin se kampionët e Shqipërisë, por mbi të gjitha katër lojtarët që ai ka thirrur nga Dinamo, kanë luajtur përballë kundërshtarëve me emër. Kroati ka vlerësuar përgatitjet serioze të bluve, ndërsa është dukur i kënaqur se Bakaj, Hidi, Vila e Muzaka kanë marrë sado pak eksperiencë, mbi të gjitha në miqësoret me Palermon dhe Sociedadin. Pas bisedës me Bozhiqin, tekniku kuqezi është njohur edhe me faktin se portieri Hidi është në formë shumë të mirë dhe do të luftojë për një vend titullari më 11 gusht kundër Uzbekistanit. Ai gjithashtu ka dhënë garanci edhe për formën e tre mesfushorëve, ndërsa ka folur me superlativa për paraqitjet e tyre në miqësoret e dinamovitëve.
#