Trajneri Qirjako pret zhbllokimin e sulmit në Kukës
Kur ka mbetur edhe një ditë nga ndeshja me Kukësin, në kampin kolonjar mbizotëron optimizmi, megjithëse bëhet fjalë për një kundërshtar të vështirë, që në javët e para ka treguar qëndrueshmëri. Djemtë e drejtuar nga trajneri Ilir Qirjako kanë punuar mirë gjatë javës, por shqetësues është fakti se përsëri do të ketë mungesa. Në mbrojtje nuk do të jenë Peçi dhe Caka, por trajneri kolonjar i ka gjetur zvëndësuesit. Ditën e mërkurë, trajneri Qirjako ka bërë një analizë për gati 30 minuta me futbollistët, nga të cilët ka kërkuar mobilizim maksimal për ndeshjen e nesërme.
Dua ti lëmë pas rezultatet e javëve të fundit dhe të shohim përpara. Në Kukës nuk kemi çfarë të humbasin. Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet dhe ne duhet të përpiqemi për të marrë pikë në Kukës, pavarësisht se do të kemi një kundërshtar shumë të fortë. Djemtë janë tepër të rinj në moshë dhe pa përvojë. Mund të them me të drejtë se tifozëria kolonjare ka mbetur pak e zhgënjyer nga paraqitja e ekipit tonë, ku sulmi nuk po funksionon si duhet.
Dy sulmuesit janë tepër të rinj dhe shpresoj që ata ti rikthejnë besimin tifozërisë kolonjare, duke shënuar që në ndeshjen e radhës. Dy repartet e tjera mund të them se kanë funksionuar më mirë. Besoj se në Kukës do të shihni një Gramoz krejt ndryshe, në lojë dhe në rezultat, por jo gjithçka varet nga kjo sfidë, pasi kampionati është shumë i gjatë dhe do të ketë edhe përmbysje vendesh në renditje, ka theksuar trajneri Qirjako.
