E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumë pak libra në Panairin “Vlora 2011”

Edicioni i 13-të i Panairit të Librit “Vlora 2011”, që është çelur në qytetin e Vlorës prej datës 5 gusht, ka zgjuar interesin e qytetarëve vlonjatë dhe pushuesve nga rrethe të ndryshme të vendit, madje edhe të huaj. Në orët e mbrëmjes, stendat e këtij panairi vizitohen nga mjaft dashamirës të librit, të cilët interesohen për titujt e rinj, apo për botime të muajve të fundit si dhe të tjera të realizuara më parë. Panairi i Librit "Vlora 2011" ka shtuar më tej gjallërinë në mjediset e Skelës, që tashmë në verë shndërrohet në epiqendrën e jetës në Vlorë. Panairi i Librit "Vlora 2011" ka hyrë në edicionin e tij të 13-të. Ishte parashikuar që në këtë panair të merrnin pjesë rreth 50 botues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, me rreth 10 000 tituj librash, por as gjysma e tyre nuk ka ngritur stendat e shitjes së librave. Gjatë ditëve të panairit do të ketë një numër aktivitetesh, ku përfshihen edhe ato të prezantimit të krijimeve nga autorë vlonjate, si historiani Bardhosh Gaçe, apo Miliano Stefa, Çlirim Hoxha, Hiqmet Meçaj, Myrteza Mara, Lefter Çipa, Nase Jani etj. Panairi do të qëndrojë i hapur nga ora 18.00-24.00, për periudhën 5-12 gusht. Ky aktivitet organizohet nga Shoqëria e Librit Shqip dhe Bashkia e Vlorës, me mbështetjen e Klubit “Petro Marko”, shoqatës kulturore atdhetare “Ismail Qemali”, shoqatës “Labëria”, Qendrës Kulturore Vlorë, Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj” etj. Ky aktivitet është i dyti që organizohet gjatë këtij viti në qytetin e Vlorës. Në muajin prill u përfaqësuan 40 botues me rreth 5000 tituj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›