E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autogolat e PS

Edmond Arizaj 

Ka në Partinë Socialiste, figura të njohura, gjysmë të njohura, dhe të panjohura në përpjekje për t’u njohur, që dëshpërohen teksa në adresë të forcës ku ata militojnë vijnë kritika dhe pakënaqësi. Emëruesi i përbashkët i dëshpërimit të tyre është se kritikat duhet të drejtohen vetëm nga Berisha dhe qeveria e tij dhe jo nga opozita që, sipas tyre, përpiqet për të mirën e vendit. Në fakt, po të pyesësh Berishën edhe ai deklaron se mundohet për Shqipërinë, madje shumë. Problemi qëndron se Partia Socialiste nuk po identifikohet më si e tillë. Nuk e ka më sharmin e një partie opozitare, qoftë agresive apo pacifiste-ramiste. Dhe i ka provuar të dyja mënyrat. Dhe me po të njëjtin personazh, Sali Berishën. Dhe me ndryshime të vogla, qeverisja e Berishës është gati e njëjtë. Kur ishte president kishe frikë nga dhuna fizike, me Berishën kryeministër ke frikë nga dhunimi ekonomik. Të dyja shkatërrimtare. Por në kohën e dhunës fizike, kishte një Parti Socialiste e hapur, moderne (dhe sapo kishte dalë nga PP, siç nuk e lënë pa e vënë në dukje sa herë jo vetëm Berisha, por edhe Rama), intelektuale dhe idealiste. Me opozicionin e saj, që sot quhet agresiv, PS arriti të zhbënte Berishën, të cilësuar si shpëtimtar, madje vetëm pak muaj pas fitores së marsit. Protagonistët e atyre ditëve mund t’ia servirin Ramës mënyrën e të bërit opozitë në atë kohë, që u kristalizua me mohimin e Kushtetutës së ’94, apo me ndërgjegjësimin e kombëtarëve se ishin mbështetur tek një njeri autoritarist dhe me të dhëna diktatori. Po të njëjtët protagonistë, mund të vazhdojnë shpjegimin ndaj kryetarit të tyre, se në opozitën e tyre të parë dhe shumë të vështirë, nuk kanë munguar kritizerët edhe ndaj PS-së, pavarësisht se Berisha nuk linte vend për këtë me bëmat e tij dhe njerëzve të tij. Kemi dhe mënyrën e dytë të të bërit opozitë nga PS-ja, prezantuesit e së cilës mëtojnë se është një opozitë e re, jo agresive, jo molotoviane (ngatërrojnë PS–në e ’92-’96 me PD-në e ’97-2008, sepse PS-ja s’ka përdorur ndonjëherë të tilla mënyra), e cila synon të demokratizojë edhe Partinë Demokratike, e të tjera vargje të tilla. A thua se në Shqipëri e në media, po luten njerëzit që PS-ja të dalë në shesh dy herë në ditë, të hedhë shishe plasëse, të flejë para Kryeministrisë, apo të përdorë “desh” për të thyer dyert e institucioneve. Askush nuk e dëshiron këtë, sepse kjo nuk tregon një opozitë agresive, por një opozitë destruktive, e cila nuk mund të jetë nesër në qeveri. Tjetërkund rreh kritika për Partinë Socialiste dhe sidomos kryetarin e saj. Sepse duket sikur PS-ja në emër të pacifizmit, po luan një ndeshje të shitur, e teksa e sheh se Berisha nuk po shënon dot gol, e ndihmon vetë me autogola, e më pas vë duart në kokë, për “gabimin e rëndë”.
U bënë kaq muaj që nga rrahja e shpatullave të Berishës nga Rama, në ngjarjen tragjike të Gërdecit. Partia Socialiste sokëllin tribunave, por nuk e mori iniciativën për një komision parlamentar hetimor, kur të tillë janë ngritur edhe për mustaqet e Çelos. Madje, jo vetëm kaq. Kur të gjithë mendonin nisjen e një aksioni të vërtetë opozitar, të pritur prej tre vitesh, PS-ja i bashkohet PD-së dhe ndryshon brenda ditës Kushtetutën, ndërsa kryetari i saj flet për Gërdecin, teksa shpjegon mënyrat e mbjelljes së perimeve shqiptare. Një autogol.
Presidenti Bamir Topi tregoi se vërtet ka dinjitet politik dhe pavarësi, pavarësisht se erdhi në krye të Presidencës me votat e PD-së dhe si nënkryetar i saj. Dhe kjo u vërtetua mirë në rastin e dekreteve për anëtarët e Gjykatës së Lartë. PS-ja e mbështeti fillimisht, siç normalisht i takonte. E kur pritej që gjuha e opozitës të bëhej më e ashpër karshi Berishës që kërkonte uzurpimin e këtij institucioni, PS-ja bëhet pjesë e ndryshimit të rregullores, që ia ngushton kompetencat Presidentit, duke i bërë kështu një goxha favor Berishës, pikërisht për dekretimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. E pas kësaj nis “loja” nga PS-ja se nuk i pranojmë emrat e rinj. Dy autogola.
Në debatin e nisur për çështjen e dosjeve për bashkëpunëtorët e sigurimit, (pavarësisht se një çështje e vdekur, sepse për hir të kulturës shqiptare, do të duhej të qartësohej të paktën pas disa vitesh për të shmangur çdo incident), Partia Socialiste tregohet fillimisht “entuziaste” e më pas tërhiqet. Dhe pikërisht kur nga anë të ndryshme, jashtë pushtetit, erdhën të dhëna se në administratën e Berishës kanë zënë vend ish-bashkëpunëtorët. Autogoli i tretë.
Nuk kuptohet se kush në Partinë Socialiste luan edhe për PD-në, duke ndihmuar të shijojë qetë, pavarësisht të gjithave mandatin e saj, dhe të ketë edhe shanse të mira për një mandat të dytë. Madje, edhe duke na e shitur NATO-n si një sukses reformash, ku ndihmoi dhe PS-ja! Jo pse NATO-n nuk e duam (madje s’do na mjaftojë një shekull për ta falënderuar për Kosovën), por sepse nuk na ndihmon as për Gërdecin, as për dekretet e as për ish-bashkëpunëtorët, e jo më për fshatarin modern.
Kjo politikë e re hileqare, e panjohur më parë për PS-në, ndihmo Berishën për të kaluar lumin e më pas bërtit kur është në bregun tjetër, mund të jetë thelbi i qeverisjes së ardhshme të pretenduar nga PS-ja. Një politikë që nuk është aspak në shërbim të qytetarëve shqiptarë, madje as të fshatarëve. Eshtë kjo lloj loje, ku autogolat shënohen pa të keq, madje të inspiruar nga trajneri, që shtojnë kritikat dhe mosbesimin në adresë të PS-së dhe Ramës. Natyrisht as socialistët më të thekur nuk vënë dot bast për një ndeshje të shitur.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›