Tramp apo Harris? Presidenti Putin zbulon kë mbështet në garën presidenciale

Presidenti rus Vladimir Putin, ka mbështetur kandidaten demokrate për Presidente të SHBA, Kamala Harris.
“Siç thashë më parë, presidenti aktual, Bajden, ishte djali ynë, nëse mund të them kështu. Ai u tërhoq nga gara, por u kërkoi mbështetësve të tij të mbështesin zonjën Harris. Kjo është ajo që ne po bëjmë; ne do të mbështesim atë”, vuri në dukje Putin në seancën plenare të Forumit Ekonomik Lindor (EEF).
Putin shtoi se do të respektojnë zgjedhjen e popullit amerikan.
“Në fund të ditës, zgjedhja i takon popullit amerikan dhe ne do ta respektojmë atë”, theksoi presidenti rus. “Sa i përket favoritëve, ne nuk kemi fjalë për këtë. Në fund të fundit, i takon popullit amerikan të vendosë”, shtoi kreu i shtetit.
Presidenti rus bëri gjithashtu shaka se “e qeshura e Harris është aq ekspresive dhe ngjitëse”, sa mund të supozohet se “ajo po shkon mirë”.
Putin kujtoi se ish-Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp (Trump), “imponoi më shumë sanksione ndaj Rusisë se çdo president para tij”. “Pra, nëse zonja Harris po shkon mirë, atëherë ndoshta, ajo do të përmbahet nga ndërmarrja e hapave të tillë”, tha udhëheqësi rus.
SHBA do të zhvillojë zgjedhjet presidenciale më 5 nëntor. Presidenti aktual Xho Bajden (Joe Biden) duhej të ishte kandidati i Partisë Demokratike, por pas performancës së tij të dështuar në një debat televiziv me Tramp, thirrjet midis demokratëve u intensifikuan që Biden të tërhiqej nga gara. Më 21 korrik, ai njoftoi vendimin e tij për të hequr dorë dhe për të mbështetur Zëvendës Presidentin Kamala Harris si kandidatin demokrat për president të SHBA. Tramp është kandidati presidencial republikan në zgjedhje.
/rtsh.al/