Kutitë zbresin në komision, Rama-Berisha replikojnë në distancë
Deputetët, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, si të Partisë Demokratike ashtu edhe të Partisë Socialiste janë në pritje të urdhrave politikë për të proceduar më tej me projektligjin e paraqitur nga opozita për ndryshimin e ligjit aktual mbi komisionet hetimore. Dje ka rënë sipari i dramës që nis shfaqjen në Kuvend me titull “në kërkim të konsensusit” dhe në orët e paradites ka filluar vetëm akti i parë që është zhvilluar në sallën “Pjetër Arbnori”. Si asnjëherë tjetër, Komisioni i Ligjeve ishte i plotësuar totalisht edhe me anëtarët e opozitës, të cilët janë vënë përballë kolegëve të tyre të mazhorancës, ndërsa kryetari Rusmali në krye të vendit ka mbajtur ekuilibrin. Por, nuk kishte nevojë, pasi në takimin e djeshëm vetëm sa janë ndezur motorët. Pak orë pasi komisioni i ligjeve nisi nga puna për të diskutuar dy nismat ligjore të PS-së për hapjen e kutive, kryeministri Berisha bëri të ditur se mazhoranca nuk do të bëjë më asnjë lëshim. “Uroj dhe dëshiroj, me sinqeritet, që në diskutimin e nisur sot në Komisionin e Ligjeve të predominojë shpirti i kompromisit dhe të procedohet me vendimet e duhura, në përputhje të plotë me Kushtetutën, me ligjet e vendit, por edhe në kompromis me opozitës, të cilës ne i kemi premtuar. Duhet të informoni çdo qytetar, sepse çdo shqiptare dhe shqiptar duhet ta dijë se në rast se opozita ka listuar një seri kërkesash, mazhoranca ka listuar një seri ofertash dhe kompromisesh të ndershme”, deklaroi Berisha. Sakaq, kreu i socialistëve Edi Rama u shpreh se kutitë ku sipas tij fshihet vota e vërtetë, nuk janë pronë e qeverisë, por e qytetarëve që shprehen vullnetin e tyre më 28 qershor. “Politika ka ngecur tek kutitë sepse aty janë rrënjët e krizës. Aty grinden dy palë. Ne nuk kërkojmë një të drejtë prone dhe pala tjetër nuk mund t’i mbajë peng ato sepse s’do që t’ia japë opozitës. Në ato kuti janë shpresat dhe aspiratat e atyre që më 28 qershor hodhën në letër shprehjen e një vullneti sovran, që është vullneti i popullit. Nëse qeveria merr votën kur qytetari s’ja jep, atëherë marrëdhënia qeveri-qytetar kthehet në një marrëdhënie të tjetërsuar”, pohoi Rama. Sakaq, gjatë komisionit të ligjeve, mazhoranca nuk e ka kundërshtuar fuqishëm draftin e socialistëve, por me anë të pyetjeve ka bërë të ditur me xhentilesë që thelbin e projektligjit do ta amendojë. Dje është prezantuar vetëm nisma e PS-së nga deputeti Damian Gjiknuri dhe më pas është vendosur që të caktohen dy relatorë, përkatësisht: Saimir Tahiri nga PS-ja dhe Viktor Gumi nga PD-ja, të cilët do të duhet të përgatisin relacionin, i cili parimisht duhet të jetë një dhe i arritur me konsensus ose dy relacione të ndara. Mbledhja e djeshme ka pasur si panoramë vetëm paraqitjen e argumenteve nga Gjiknuri dhe pyetjet “me spec” nga ana e disa deputetëve të PD-së, ku spikaste ish-zv.ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi. Në fillim të punimeve të komisionit Gjiknuri e cilësoi situatën politike në krizë të thellë, krizë e cila, sipas PS-së, ka ardhur për shkak të deformimit të vullnetit të zgjedhësve më 28 qershor. Gjiknuri tha më tej se miratimi i projektligjeve të PS-së i jep zgjidhje përfundimtare krizës dhe nuk synon ndryshime të rezultatit të zgjedhjeve dhe as nuk i bën të pavlefshme ato. Gjiknuri theksoi se përcaktimi me ligj i objektit të komisioneve hetimore dhe për transparencën e zgjedhjeve krijon vetëm një mundësi për legjislativin, por nuk prek në asnjë rast rezultatin apo vendimet e marra nga institucionet që administrojnë zgjedhjet. Në pyetjet e tyre, Halimi dhe Paloka kanë bërë të ditur se komisionet hetimore nuk duhet të shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur që legjislativi nuk duhet të marrë kompetencat e prokurorisë.
#