E Diel, 1 Nëntor 2026

Transformimi i Bratislavës

Ardhja e industrive të mëdha automobilistike dhe bumi në sektorin e ndërtimit e kanë transformuar krejtësisht Sllovakinë dhe kryeqytetin e saj. Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt, ndonëse pa një projekt racional. Nga Express më 24 dhjetor 2010 në ora 08:59

Kur erdhi kriza ekonomike dy vjet më parë, ajo shërbeu paksa si çlirim. Recesioni shërbeu për të ndalur disa projekte. Stefan Slachta është 70 vjeç, me mjekër e flokë të bardhë, veshur me pantallona të zeza e pulovër të bardhë. Më shumë ngjason si një artist sesa një burokrat. Zyra e tij gjendet në katin e parë të Bashkisë së Bratislavës: Slachta është arkitekt, përgjegjës për zhvillimin urbanistik të kryeqytetit sllovak. Me bumin e ndërtimeve të viteve të fundit i është dashur të punojë shumë më tepër se më parë.

“Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt”, tregon ai. Për më tepër, gjërat vazhdojnë të ndryshojnë. Kush ka qenë në Bratislavë 20 vjet më parë dhe sot kalon në të njëjtat rrugë e ka të vështirë të orientohet. Qendra historike, me ndërtesat e saj që dikur ishin në rënie, është ri-konstruktuar me shumë kujdes. Kryeqyteti sllovak dominohet nga ngjyrat dhe rregullsia, kjo edhe falë investimeve të huaja. Rritja e madhe e sektorit të ndërtimit ka udhëhequr ekonominë e gjithë Sllovakisë.

Teksa sheh imazhin e ri të Bratislavës e kupton se në çfarë mënyre dy shekujt që kanë pasuar rënien e komunizmit kanë ndryshuar Evropën Qendrore dhe atë Lindore. Pas revolucionit të vitit 1989 dhe në fazat e para të tranzicionit, vendi ka jetuar vite të turbullta të kapitalizmit të egër, ku nuk vlenin më rregullat e vjetra, ndërsa ato të reja nuk ishin vendosur ende.

Në fillim të viteve të 90-ta investitorët perëndimorë refuzuan mundësinë për të bërë fitime gjigante, ndërsa sipërmarrësit e rinj sllovakë, me mbështetjen e botës politike, u angazhuan të zëvendësonin fuqinë e regjimit të vjetër dhe të promovonin privatizimin e ndërmarrjeve e zhvillimin e aktiviteteve të reja ekonomike. Shumë risi erdhën në mënyrë kaotike dhe për shumë njerëz kjo shërbeu si një përparësi. Pas vitit 1999, në qytet filloi të ndërtohej gjithmonë e më shumë, mbi të gjitha kisha: në të gjithë Sllovakinë janë më shumë se 500.

Po ashtu u ngritën në këmbë mijëra apartamente luksoze, pjesa më e madhe e të cilave mbeti e pa-shitur. Sipas shifrave të dhëna nga Slachta, sot në Bratislavë janë rreth 6 mijë banesa ekskluzive ende bosh, të cilave u shtohen 1.43 milionë metra katrorë ambiente për zyra që nuk janë shfrytëzuar kurrë. Tashmë në Bratislavë jeta kushton sa në Vjenë apo Pragë. Një ofertë e jashtëzakonshme në një vend që nuk ka më shumë se 400 mijë banorë. Por dikush kishte menduar të ndërtonte edhe rrokaqiej. Gjithsesi, projekti mbeti në letër për shkak të krizës ekonomike. Investitorët e huaj janë tërhequr edhe nga reformat ekonomike lehtësuese të miratuara nga qeveria konservatore e Mikulas Dzurindas në vitin 2004.

Për vende si Sllovakia, formimi profesional është një faktor shumë vendimtar: për këtë është i bindur Jozef Uhrik, president i Shoqatës Sllovake të Industrisë Automobilistike. “Duhet të jemi gjithmonë luftarakë dhe elementi kryesor janë njerëzit”, tregon ai. Uhrik, në kohën e regjimit komunist, ishte drejtor i përgjithshëm i një uzine që prodhonte pjesë për makina, traktorë e robotë. Në vitit 1991, bashkë me një koleg gjerman, u bë drejtori i parë i stabilimenteve të reja të “Volkswagen”-it në Bratislavë, që me një numër punëtorësh prej 7500 vetash janë kthyer në kompanitë më të rëndësishme të vendit.

Sipas tij, vendimi për ta bërë prodhimin e makinave bazën e zhvillimit ekonomik të vendit ka qenë ai i duhuri. Në Sllovaki kanë investuar edhe dy kompani të tjera gjigante “Kia” dhe “PSA Peugeot”, dhe vendi bashkë me Republikën Çeke është bërë një superfuqi për sa i përket prodhimit të makinave në nivel botëror. Uhrik tregon me krenari se në vitin 2005, fabrika e “Volkswagen”-it në Bratislavë kishte punëtorët më të kualifikuar nga të gjitha filialet e kësaj kompanie: 52 për qind e personelit ishte e diplomuar.

Punëtorët sllovakë janë teknikisht më të përgatitur, më të saktë dhe më të duruar. Por edhe pse pagat e tyre janë më të ulëta, grevat në këto zona janë një fenomen i rrallë. Një punëtor i specializuar fiton rreth 700 euro, ndërsa dy e treta e tyre fitojnë 500 ose më pak, shifër kjo që është akoma më e ulët në zonat lindore të vendit. Numri i lartë i të papunëve që akoma regjistrohet në ato zona përfaqëson sipas specialistëve një prej problemeve më urgjente për t’u zgjidhur.

Për këtë arsye ata janë të bindur se është i domosdoshëm ndërtimi i autostradës nga qytetit Kosice, në lindje të vendit, që kohët e fundit ka ndalur punimet. Po ashtu, bota e ekonomisë shpreson shumë që qeveria e re konservatore e drejtuar nga Iveta Radicova, të çojë para reformat, të ulë taksat, të luftojë korrupsionin dhe mbi të gjitha të sjellë risi në sektorët e drejtësisë e të arsimit.

Por përtej projekteve të mëdha të Bratislavës së re në realitetin e përditshëm jo të gjithë sllovakët janë të bindur se janë në mesin e një ndryshimi epokal. Sipas Zuzana Kusa-s, kërkuese në Institutin e Sociologjisë në Akademinë Sllovake të Shkencave, “problemi i Bratislavës është se nuk ka strehim për njerëzit normalë dhe për ata me rroga të ulëta”.

Nga viti 2002, deri në 2008 çmimet e shtëpive për metër katror janë trefishuar. Sipas një studimi të bërë prej saj në vitin 2009 me të rinj të zonave të ndryshme të vendit u arrit në përfundimin se rreth gjysma e tyre donin të ndryshonin qytet, 1 e treta donte të largohej jashtë vendit dhe vetëm 2 për qind preferonin të jetonin në kryeqytet për faktin se ishte shumë i shtrenjtë. “Të rinjtë jetojnë me shumë sakrifica. Jeta këtu kushton sa në kryeqytetet e mëdha evropiane. Është një shoqëri e padrejtë”, tregon Zuza.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›