E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Transformimi i Qytetit Studenti, Rama: Vepra arkitektonike do t’i bashkohen koleksionit të Tiranës

TIRANË, 3 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se Qyteti Studenti nuk do të ketë vetëm godina utilitare, por do të ketë edhe vepra të arkitekturës që do t’i bashkohen koleksionit të jashtëzakonshëm që po krijon Tirana.

Gjatë përurimit të dy godinave të rikonstruktuara në Qytetin Studenti, Rama tha se qëllimi i qeverisë është që të përfshijë edhe në Qytetin Studenti arkitektë të mirënjohur.

“Pata privilegjin që të shtunën të mikprisja disa miq që i përkasin botës së personaliteteve të shquara ndërkombëtare dhe që vijnë për herë të parë në Tiranë. Njerëz të shëtitur gjithandej. Dhe gjithmonë më ndodh, por është gjithmonë krenari kur dëgjon nga ata që vijnë këtu për herë të parë fjalët më të jashtëzakonshme për atë që gjejnë këtu në Tiranë, për arkitekturën, pastërtinë, energjinë e qytetit dhe mbi të gjitha për perspektivën e këtij qyteti,” theksoi Rama.

Kjo, sipas tij, “vlen shumë më tepër se sa për t’u kënaqur dhe për t’u inkurajuar dhe për t’u frymëzuar që kjo punë e madhe të vazhdojë”.

“Nuk janë vetëm konviktet pjesë e planit të transformimit dhe rilindjes së plotë të Qytetit Studenti, janë edhe një sërë godinash të tjera nga godina administrative, tek ajo që do të ketë qendrën e madhe të studimit dhe leximit. Synimi është të bëjmë një bibliotekë të standardeve më të mira ndërkombëtare, qoftë me libra, qoftë me akses digjital. Pastaj është edhe mensa e përbashkët e studentëve që në këto godina kanë edhe kuzhinat e tyre të përbashkëta ku mund të administrojnë vetë çfarë blejnë dhe çfarë mund të kenë për t’u ushqyer. Kemi edhe godinën tjetër ku do të kemi mundësi të kemi aktivitete social-kulturore dhe godina ku do të jetë edhe pishina e parë olimpike në Shqipëri”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se të gjitha këto nuk janë as dëshira, as fantazi, por janë projekte për të cilat janë edhe financimet të dedikuara që presin për t’u vënë në dispozicion të realizimit të tyre.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›