E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transmetohet videoja para vdekjes e njeriut që hodhi në erë 7 agjentët e CIA-s

Mjeku jordanez, që mori jetën e shtatë agjentëve të CIA-s në një sulm vetëvrasës në Afganistan, ka deklaruar në një video të transmetuar pas vdekjes se të gjithë xhihadistët duhet që të sulmojnë objektivat amerikanë në shenjë hakmarrjeje të vdekjes së shefit të talebanëve pakistanezë, Baitullah Mehsud. Pamjet filmike të transmetuara dje tregonin Humam Khalilo Abu Mulal al Balawi, të cilin CIA e kishte kultivuar si aset kundër “Al Kaedës” të ulur me pasuesin e Mehsud, në një vend të paidentifikuar. Në të konfirmohej se talebanët e Pakistanit e merrnin përgjegjësinë për një nga sulmet më të rënda të historisë së CIA-s.
Ky zhvillim i fundit mund të bëjë që amerikanët të shtyhen më tej në Pakistan për të goditur talebanët pakistanezë, të cilët përdorin rajonet tribale në kufijtë me Afganistanin si vende për t’u armatosur dhe stërvitur. Ndoshta amerikanët mund të përdorin edhe goditjet me raketa në Pakistan, një vend që ndodhet në një kaos politik, por këtë mundësi pakistanezët deri më tani ua kanë bërë të ditur amerikanëve se nuk do t’ua lejojnë. “Ne nuk do ta harrojmë kurrë gjakun e Baitullahut dhe do të hakmerremi vazhdimisht deri në fund brenda dhe jashtë Amerikës”, deklarohet në video. Duket se 32-vjeçari al Balawi ka qenë një agjent i dyfishtë, ndoshta edhe i trefishtë që mbante lidhje me “Al Kaedën”, CIA-n dhe Inteligjencën jordaneze.
Ai ishte ftuar në zyrat e CIA-s në Afganistan, duke premtuar se kishte informacione të rëndësishme për numrin dy të “Al Kaedës”. Në vend të informacioneve ai shpërtheu dinamitin që kishte me vete, duke shkaktuar vdekjen e shtatë agjentëve të CIA-s, së bashku me shefin a bazës në 30 dhjetorin e kaluar. Ky është një nga incidentet më të rënda të publikuara deri më tani nga CIA. Ndërkohë në mbrojtje të agjentëve të tij, shefi i CIA-s, Leon Paneta, dha në një gazetë amerikane detaje shtesë për rrjedhën e ngjarjeve. Sipas tij, ngjarja e rëndë ka ndodhur kur agjenti do t’i nënshtrohej kontrollit të posaçëm.
Në video, agjenti i vrarë tall shërbimet inteligjente amerikane dhe jordaneze që i kishin besuar atij. Fjalën e tij e përfundoi duke thënë se ishte i bindur në fitoren e xhihadit. Në Jordani, babai i ish-agjentit deklaroi se ai ishte i biri. “Ai ka qenë shumë kundër në lidhje me ngjarjet në Irak, pushtimin e Palestinës dhe vrasjen e myslimanëve në Afganistan dhe ishte shumë i zellshëm për Zotin dhe për fenë e tij”, ka deklaruar një i afërm i ish-agjentit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›