Nënshkodra dhe lagjet periferike vazhdojnë të mbeten nën kërcënim

Situata në zonën e Nënshkodrës dhe lagjeve periferike vazhdon të gjendet e kërcënuar nga uji. Ndërsa niveli i lumit Drin ka rënë duke bërë që prurjet e ujit të bien, e kundërt është gjendja në lagjet që lagen nga liqeni i Shkodrës dhe lumi Buna në pjesën perëndimore të qytetit, ku me qindra banesa janë nën ujë. Ndërkohë ka dhjetë ditë që mediat raportojnë për situatën e krijuar, një panoramë akoma më reale japin vetë banorët e zonave të ndryshme, të cilët duket se në këtë rast duken dhe raportuesit më të mirë.
Dajçi ka qenë zona e parë që është prekur nga përmbytja. Xhafer Ymeri, banor i fshatit Samrish në Komunën Dajç, duke treguar çastet e përmbytjes rrëfen: Më datën 3 janar erdhi inspektori i policisë e më tha se duhet të ikësh se do ketë përmbytje. Nuk e besova dhe qëndrova në banesë, por kur u zgjova në mëngjes, nuk munda ta hap portën nga uji që kishte arritur deri në 1 metër. Në atë moment vura duart mbi kokë, lëshova ulërimë dhe menjëherë dolëm jashtë me gruan dhe dy fëmijët. Nuk vonuam shumë, dolëm jashtë, sytë i mbaja nga bagëtitë, por nuk kisha çfarë të bëja. Erdhën ushtarët me varka, na hipën me shpejtësi dhe u larguam se uji po rritej me shpejtësi.
Kjo situatë ishte pothuajse në çdo shtëpi, pasi fshati ynë është buzë Bunës, ku shkarkohet Drini, ndaj dhe prurjet kanë qenë tepër të mëdha. Por di të them se kur shpëtuam si njerëz, për të tjerat do rregullohen. Kur të kthehem në shtëpi e di se nuk do gjej asgjë, pasi të gjitha pajisjet shtëpiake i ka marrë uji, ndërsa bagëtitë nuk e di se ku i kam. Personalisht, dëmi që më është shkaktuar është mbi 20 milionë lekë të vjetra, shpresojmë të dëmshpërblehemi pasi kemi mbetur mes katër rrugëve. Besojmë se këtu ku jemi evakuuar, nuk do qëndrojmë gjatë, ndaj duhet të mendojmë për të nesërmen.
Zona e dytë që u mbulua nga uji ka qenë fshati Obot në Komunën Ana e Malit. Vincens Kola tregon ditët e përmbytjes, duke u lutur për mbarimin e kësaj situate. “Në datën 3-4 janar kishim prezencë uji në fshat, por nuk e morëm seriozisht dhe nuk pranuam te evakuoheshim. Vendosa familjen në katin e dytë dhe për dy ditë kam qëndruar në atë vend. Kur niveli i ujit u rrit, u frikësuam dhe më pas kërkova ndihmën e ushtrisë, të cilët më nxorën nga shtëpia bashkë me bagëtitë. Për të thënë të drejtën, policia dhe ushtria kanë bërë punë heroike, kanë fjetur poshtë shtëpive tona, duke na kërkuar evakuim e duke na ruajtur nga uji. Kur shikonim në filma të tilla skena, thoshim të shkretët, tani që po e përjetojmë vetë, qenka një tmerr i vërtetë.
E pabesueshme!”, shprehet Kola, e teksa flet, i mbushen sytë me lot. Ai shton se ende nuk e di nëse do kthehet ndonjëherë në jetën e përditshme, që bënte para se të ndodhte kjo katastrofë. “Nuk mendoj të bëj llogari për dëmin, se më kap një ankth që nuk di se ku jam. Shpresojmë që Zoti të na ndihmojë, nuk mund të flas më”.
Zona e tretë e prekur nga përmbytja ka qenë Bërdica, aty ku bashkohet rruga e Shkodrës me Velipojën. Dukate Kole, banore e kësaj zone, tregon ditën e përmbytjes. Ajo shprehet se ndryshe nga zonat tjera, këtu uji ka mbërritur shumë shpejt. “U tmerruam! Shikonim lumin Drin, i cili kishte dalë furishëm mbi rrugën nacionale dhe i gjithë uji vinte në shtëpi. Unë kam një burrë në moshë dhe kisha merakun e tij. Kur hyra në shtëpi, e gjeta nivelin e ujit deri në lartësinë e krevatit, ku është burri i sëmurë. Sikur të vonoja të paktën një orë, do ta gjeja të mbuluar në ujë. Më ndihmuan komshinjtë.
E nxorëm burrin jashtë, nuk kisha kohë të kthehesha më, por kam lënë televizorin të ndezur dhe gjithçka tjetër dhe kam ikur. Uji në shtëpi ka arritur mbi 1 metër e 20 centimetra. Gjithçka është shkatërruar. Nuk kam shumë pajisje, pasi jemi familje e varfër, por ato që kam janë jeta ime”, ka shpjeguar ajo me një frymë, duke kërkuar ndihmë që të ndihmohet nga ndokush.Zona e katërt e përfshirë në përmbytje ka qenë lagjja e “Ajasmës”.
Asim Peqini, banor i kësaj lagjeje, tregon se vetëm një mur e ndan banesën e tij nga lumi Drin dhe kuptohet se këtu përmbytja ka qenë tepër e madhe dhe uji në shtëpi ka arritur 1 metër e 60 centimetra. “Të gjithë njerëzit i kam larguar dhe qëndroj vetë jashtë banese, pasi brenda nuk rrihet. Qëndroj se jam në merak për shtëpinë. Madje fle jashtë dhe herë pas here e kontrolloj, duke shkuar me kamerdare deri brenda shtëpisë”, shprehet ai. Më tej shpjegon se dëmet që janë shkaktuar i kalojnë 20 milionë lekë. E ky nuk është vetëm fati i tij, por i gjithë lagjes që jeton buzë Drinit.
Zona e pestë e përfshirë nga përmbytja ka qenë lagjja periferike e “Bahçallekut”. Një nga banorët e kësaj zone, Ramiz Kosi, tregon për situatën e krijuar, ku shpjegon se Bahçalleku, në vitin 1979 ka kaluar një tërmet që shkatërroi shtëpi, ndërsa kjo që ndodhi ishte një tërmet uji. Gjithçka më është shkatërruar dhe për familjen time është një katastrofë kjo që ndodhi. Dëmi në banesë i ka kaluar mbi 50 milionë lekë, pasi reparti ku punoj si marangoz më është shkatërruar. Na u duk ëndërr kjo që ndodhi, por na duket edhe më ëndërr nëse do marrim dëmshpërblim. Po kalojmë një situatë stresi dhe ankthi. Jemi dëmtuar materialisht dhe moralisht”, shprehet Kosi.
Zona e fundit e përfshirë nga përmbytja ka qenë lagjja në periferi, e quajtur “Livade”. Banori i kësaj zone, Ardit Arazi, rrëfen: “Uji i liqenit të Shkodrës ka hyrë aq shumë në shtëpi, sa unë hyj në korridor të shtëpisë me varkë. “Po e shihni vetë dhe e kuptoni se çfarë është bërë, nuk mund të flitet për dëme. Ato janë të pallogaritshme. Të vetmet që kanë shpëtuar janë katër muret”, shprehet ai, duke na treguar shtëpinë. Më tej, ai shprehet se ka dëgjuar se do ta dëmshpërblejnë por... “Nuk e di! Këto janë shuma kolosale. Njerëzit kanë pësuar dëme, ndaj qeveria tani duhet të mendojë për dëmshpërblimet. Nëse nuk marrim dëmshpërblim, më mirë të na kishin lënë të mbyteshim në ujë”.