Vlerësimi i Ministrisë së Financave për muajin nëntor 2009
Ministria e Financave del sërish kundër “dëshirës” së Kryeministrit për të pasur një rritje ekonomike mbi 6 për qind. Ekspertët e financave kanë bërë disa parashikime, nisur nga të dhënat që disponojnë, sipas të cilave, rritja ekonomike është më e ulëta e vlerësuar ndonjëherë, 3.1 për qind. Jo më larg se një javë më parë, INSTAT-i nxori një të dhënë për korrik-shtator 2009, që paraqiste një rritje 4.1 për qind. Pikërisht në këtë periudhë, një vit më parë, ministri i Financave dhe Kryeministri Berisha bënë përplasjen më të madhe për shifrat e rritjes, duke i kundërshtuar njëri-tjetrit pretendimet. Madje Berisha vajti deri aty sa akuzoi ministrinë se po fsheh të vërtetën për shkak të “konfliktit të interesit” me planin e të ardhurave. Duke parë ecurinë e deritanishme të vitit 2009, gjasat janë që rritja ekonomike të prekë kuotën e 2 përqindëshit, shumë herë larg pretendimit të Kryeministrit, por lart niveleve që paraqesin vendet e rajonit dhe BE-së.
Për muajin nëntor, Ministria e Financave ka certifikuar nivelin e shpenzimeve dhe të ardhurave. Kështu, plani i shpenzimeve u realizua në masën 332.6 miliardë lekë ose 5.3 për qind më pak se parashikimi. Megjithatë, krahasuar me janar—nëntor 2008 shpenzimet rezultuan 16.4 për qind më të larta, ndërsa investimet rezultuan 9.5 për qind më pak se parashikimi dhe 22.8 për qind më shumë se viti i kaluar.
Sa u takon të ardhurave, në fund të muajit nëntor 2009, arritën në 268.2 miliardë lekë ose rreth 7.7 për qind më pak se parashikimi dhe 2.2 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Të ardhurat tatimore po në fund të këtij muaji arritën në 248.6 miliardë lekë ose 5.8 për qind më pak se parashikimi, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ato janë rreth 3.4 për qind më të larta.