E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transparency International - letër Berishës për Temën

Organizata Transparency International shpreh shqetësim rreth mbylljes në fund të vitit të kaluar të së përditshmes Tema.

Në letrën publike, dërguar kryeministrit Sali Berisha, drejtori rajonal i kësaj organizate për Evropën dhe Azinë qëndrore, Miklos Marschall, përmend faktin se Ministri i Ekonomisë anulloi në mënyrë të njëanshme dhe pa paralajmërim kontratën 20 vjeçare të kësaj gazete për ndërtesën e saj, duke e pasuar me nxjerrjen nga zyrat të personelit të gazetës. Policia nuk tha ndonjë shpjegim zyrtar. 

Transparency International thotë se përderisa mosmarrëveshja nuk është zgjidhur nga një vendim përfundimtar gjykate, nxjerrja e personelit dhe mbyllja e gazetës është e pajustifikueshme. Për më tepër, thuhet në letër, vendimi më i fundit i gjykatës është në favor të gazetës TemA. 

Mbyllja e gazetës TemA, e cila kritikonte shpesh korrupsionin në qarqet zyrtare, shikohet nga shumë njerëz si shenjë e presionit politik në rritje ndaj zërave kritkë të medias, thekson zoti Marschall. Ai shton se media e lirë dhe e pavarur është një prej kushteve bazë për të luftuar korrupsionin me efektivitet. 

Zoti Marschall e nxit kryeministrin Berisha për ndërmarrjen e një hetimi për këtë çështje. "Qeveria juaj, shkruan më tej zyrtari i Transparency International, duhet të tregojë se e shikon me seriozitet luftën kundër korrupsionit dhe është gati të mbrojë lirinë e shtypit në Shqipëri".      //rd//

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›