E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Ku shkuan paratë e taksapaguesve për rrugët?!

Partia Socialiste i ka kërkuar KLD-së të ushtrojë kontroll te Ministria e Transporteve për fondet e tenderuara në dy vitet 2007 dhe 2008. Alfred Dalipi bëri të ditur se Shqipëria është vendi më i prapambetur në rajon sa i përket kilometrave të shtuara me asfalt. 

TIRANE-PS i kërkoi sot qeverisë të japë shpjegime para popullit për paratë që pretendohet se janë shpenzuar për shtrimin e rrugëve në vend. Një thirrje i vecantë iu adresua Kontrollit të Lartë të Shtetit që të kontrollojë Ministrinë e Transporteve, pasi ka dy vjet që “e ka harruar”.
Deputeti socialist, Alfred Dalipi doli sot në një konferencë për shtyp ku bëri të ditur se Shqipëria është vendi më i prapambetur në rajon sa i përket kilometrave të pakta të shtuara me asfalt. “E vetmja që s’është bërë janë 6000 km rrugë dhe Shqipëria mbetet jo vetëm në Rajon, por edhe në Evropë si vendi më i prapambetur me 0.25 km rrugë për 1 km katror”.
Ndërsa ngelen vetëm 5 muaj nga fushata elektorale ku deputetët do të përgjigjen para elektoratit, Dalipi thekson se qeveria Berisha do ta ketë të vështirë këtë përballje, sidomos për të shpejguar se cu bënë paratë e taksapaguesve shqiptarë.

“Sot në fund të mandatit, 5 muaj nga ballafaqimi elektoral qytetarët duhet të informohen, taksa pagues apo jo, votues apo në moshë të re, gjithë shqiptarët se në vitin 2006 kjo Qeveri, Ministria e Transporteve ka tenderuar dhe investuar 23.2 miliard lekë ose 250 milion dollar, në vitin 2007- 34 miliard lekë ose 400 milion dollar, në vitin 2008 – 56.8 miliard lekë ose 600 milion dollarë.

“Në tre vjet Ministria e Transporteve ka tenderuar, hedhur në rrugë, për rrugët plot 1 miliard e 250 milion dollar dhe shqiptarët me kaq para kanë marrë më pak se 400 km rrugë. Premtimi për 6 mijë km rrugë është bërë, qytetarët shqiptar kanë paguar taksat, Qeveria ka realizuar të ardhurat, plot 1 miliard e 250 milion janë bërë tendera dhe janë paguar kontraktuesve”.

(d.b/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›