E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Transparency International”: Rritet korrupsioni dhe shtohet revolta

Raporti Studimi që përfshin edhe vendet e Ballkanit Perëndimor ka lënë jashtë Shqipërinë

Korrupsioni është rritur në tri vitet e fundit. Ky është rezultati i barometrit global për korrupsionin publikuar sot nga “Transparency International”. Po si është situata në vendet e Ballkanit Perëndimor? Barometri global i korrupsionit 2010, studimi më i madh që bën “Transparency International” për korrupsionin reflekton opinionin e njerëzve të thjeshtë. 91 000 vetë në të gjithë botën, qytetarë të zakonshëm dhe jo ekspertë në ndryshim nga indeksi i korrupsionit i publikuar muaj më parë, janë pyetur se si e perceptojnë ata korrupsionin, nëse u është dashur të paguajnë për një shërbim të caktuar, apo cilët shohin ata si sektorët më të korruptuar në vendet përkatëse. Studimi është bërë edhe në Bosnjë-Hercegovinë, Serbi, Kroaci, Maqedoni, Kosovë e Turqi. Shqipëria nuk është përfshirë këtë vit në barometrin e korrupsionit 2010 të TI, për shkak të pamundësisë së realizimit aty të pyetësorit nga "Gallup International", i ngarkuar me anketimin nga TI. Lidhur me rezultatet e barometrit për vitin 2010 për vendet e Europës Juglindore, drejtori i drejtorisë rajonale për Europën Lindore dhe Azinë në “Transparency International” me qendër në Berlin, Miklosh Marschall, thotë: "Ka lajme të mira dhe të këqija. Më lejoni të filloj me lajmet e këqija. Në perceptimin global më shumë se 60% e të pyeturve thonë se korrupsioni është rritur. Në vendet e Ballkanit Perëndimor plus Turqia perceptimi është pak a shumë i njëjtë. 57% e të pyeturve në vendet e Ballkanit Perëndimor kanë thënë se korrupsioni është rritur në tri vitet e fundit. Lajmi i mirë është se njerëzit janë më të gatshëm për t'u ngritur kundër këtij fenomeni". Një nga pyetjet drejtuar qytetarëve në vende të ndryshme të botës lidhur me korrupsionin ishte nëse ata si individë besonin se njerëzit vetë mund ta ndryshonin situatën e korrupsionit? "Në këtë pikë vendet e Ballkanit Perëndimor janë më pak optimiste se mesatarja globale. Interesante është se në Kosovë kjo e dhënë është shumë e lartë. 74% e njerëzve besojnë se ata mund të sjellin ndryshimin në luftimin e korrupsionit. Ndërsa në Serbi përqindja është shumë e ulët. Aty njerëzit janë më pak optimistë, rreth 40% besojnë në të", përgjigjet Marschall. Një nga pikat ku barometri mat korrupsionin global ka qenë edhe perceptimi për sektorët më të korruptuar. Në nivel global njerëzit kanë vlerësuar si sektorin më të korruptuar atë të partive politike. Në këtë pikë ka një ndryshim me vendet e Ballkanit Perëndimor. "Po qe se shikoni vendet e BP, sigurisht partitë politike janë konsideruar të korruptuara, ky perceptim është i tillë edhe në Kosovë, por një karakteristikë e rajonit në këtë barometër është se aty si sektori më i korruptuar konsiderohet ai juridik. Kjo ndryshon pak nga perceptimi global, ku sistemi juridik nuk konsiderohet aq i korruptuar si në Ballkan. Edhe sektori i shëndetësisë konsiderohet mjaft i korruptuar në vendet e Ballkanit", thekson ai. Por si qëndron çështja me denoncimin e rasteve të korrupsionit. Këtu Kosova ka zënë një vend surprizues për TI. "Në Kosovë rreth 91% e të pyeturve, që është një shifër shumë e lartë, thanë se ata do ta raportonin një rast incidenti të korrupsionit. Shifra globale është 71%. Pra lajmi i mirë është se rritja e frustrimit kundër korrupsionit shkon paralel me rritjen e vullnetit për ta denoncuar atë", pohon Marschall.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›