Berisha: Rama nisi revanshin ndaj institucioneve. Kërcënoi presidentin, kryeprokurorin dhe guvernatorin
Kryeministri Sali Berisha vazhdon të bëjë politikë përmes rrjetit social, Facebook.
Në një postim të fundi, ai thotë se Edi Rama ka nisur revanshin e pandalshëm ndaj institucioneve të vendit, duke kërcënuar edhe presidentin.
Berisha shkruan se Rama pasi nuk arrin dot të shkarkojë presidentin, e kërcënon atë.
Të dashur miq, dyshja Rama- Kokëdhima vazhdojnë furishëm revanshin e pandalshëm dhe kërcënimet vulgare ndaj institucioneve të vendit. Dje ata, me Twitter, hapën tenderin për fshesën e administratës. Sot në fjalën e tij zoti Rama kërcënoi Presidentin me 84 votat e tij, pasi nuk arriti të konsolidojë projektin aventuror për shkarkimin antikushtetues të Presidentit dhe heqjen së paku të tij nga kryetar i KLD-së dhe vendosjen e këtij institucioni nën drejtimin e kryeministrit. Ai sulmoi dhe kërcënoi qeverinë sepse ai beson se ata kanë marrë një mandat për 4 vjet e tre muaj. Sulmoi dhe kërcënoi Prokurorinë sepse ëndërron rikthimin e tregtarëve të dosjeve dhe militantëve të PS që e kishin shndërruar atë në një repart fanatik të PS. I ngarkon detyra Guvernatorit duke harruar se Banka është e shtetit dhe jo e qeverisë. Programin ia ka besuar Beqës dhe Yllit, ndërsa për Koçon dhe veten kanë zgjedhur sulmin, revanshin ndaj institucioneve kushtetuese dhe çdo gjëje jo socialiste. Asgjë të papritur as dhe për tu çuditur nga çifti Rama- Kokëdhima. Shkodranët e kanë një shprehje: tash po ju kalon vedi!” shkruan Berisha./ep