E Diel, 1 Nëntor 2026

Transplanti i veshkave nis të enjten



Prej ditës së enjte transplantet e veshkave do të kryhen në QSUT. Lajmi konfirmohet nga shefi i shërbimit të nefrologjisë prof. dr. Nestor Thereska. Ai pohoi për gazetën “standard” se “më 26 mars, për herë të parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë do të kryhet transplanti i veshkave me dy pacientet e përzgjedhura”.

Transplanti

Fatlumet janë dy vajza, një 20-vjeçare, për dhurues ka babain 50-vjeçar, ndërsa tjetra është një vajzë 21-vjeçare, me dhuruese nënën e saj 50-vjeçare. Ndërhyrja kirurgjikale do të kryhet falas. Stafi mjekësor i përbërë nga kirurgë dhe nefrologë tashmë është trajnuar për të kryer këtë lloj operacioni ndaj dhe pritet që ditën e enjte të finalizohet për herë të parë në vendin tonë në spitalet publike transplanti i veshkave.

Prof. dr. Nestor Thereska siguron se tashmë çdo gjë është gati dhe se nuk mungon asnjë aparaturë dhe se pritet që këto ndërhyrje të konkretizohen brenda kësaj jave. Kjo lloj ndërhyrjeje kryhet për herë të parë në vendin tonë. Pas disa muajve trajnim, mjekët nefrologë tashmë janë gati për të kryer transplantet edhe në QSUT. Pas një maratone datash duket se tashmë është vendosur përfundimisht se kur do të kryhen këto lloj ndërhyrjesh.

Projekti

Kështu, realizimi i transplantimit të veshkave në Shqipëri vjen në kuadër të projekteve INTERREG III të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë me regjionin e Puljas, do të nisë muajin mars, brenda të cilit do të realizohen rreth 15 operacione të tilla në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" Tiranë. Ashtu siç edhe është pohuar edhe më parë, parashikohet që transplantimi i veshkave të bëhet nga dhurues të gjallë. Në këtë mënyrë zvogëlohet numri i pacientëve që dalin jashtë shtetit për realizimin e transplanteve të këtij lloji. Gjithashtu, pala italiane do të mundësojë edhe aparaturën e matjes së medikamenteve në gjak të pacientëve dhe pajisjen për monitorimin e të sëmurëve pre-post operacional, që do të mbikëqyrë gjendjen shëndetësore të të sëmurit. Shërbimi i nefrologjisë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës "Nënë Tereza" ka ngritur prej disa muajsh grupet e punës për realizimin e program-zbatimit të transplantimit të veshkave në vendin tonë. Në kuadër të kësaj nisme, në vendin tonë janë krijuar grupet e punës, të cilat po operojnë sipas program-zbatimit.

MSH: 420 raste të reja me tuberkuloz në vit

Ministria e Shëndetësisë, në Ditën Botërore të Luftës Kundër Tuberkulozit, publikoi dje situatën në vend të kësaj sëmundjeje. Gjatë një konference për shtyp, drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, tha se në Shqipëri regjistrohen 13 raste të reja me tuberkuloz për 100 000 banorë. Sipas tij, "në vendin tonë regjistrohen afërsisht 420 raste të reja me tuberkuloz në vit". “Në dy dekadat e fundit, - sqaroi Bejtja, - rastet e shfaqjes së kësaj sëmundje kanë ardhur duke u ulur, nga 20 raste të reja për 100 000 banorë ose 653 raste në vit, në vitin 1990, në 13 raste të reja për 100 000 banorë në 2009. Për kontrollin e sëmundjes së tuberkulozit në vend, aplikohet vaksina ndaj kësaj sëmundjeje gjatë javës së parë të porsalindurve”. "Është e rëndësishme që të sëmurët me tuberkuloz të diagnostikohen në kohën e duhur dhe të marrin mjekimet në kohëzgjatjen e duhur, prej disa muajsh dhe në dozat e duhura, pasi në të kundërt zhvillohet rezistenca ndaj medikamenteve dhe shtohet kërcënimi për shëndetin publik", - tha Bejtja. Tuberkulozi është një sëmundje infektive që prek, përveç mushkërive, dhe cipat e trurit, kockat dhe organe të tjera. Kushtet jo të mira të jetesës janë një faktor favorizues i rëndësishëm në përhapjen e sëmundjes së tuberkulozit. Në mungesë të mjekimit me medikamentet e duhura dhe në kohëzgjatjen e duhur, tuberkulozi mund të shkaktojë vdekje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›