Hija e UNMIK-ut dhe dilemat e Kosovës
Nga Gjon KEKA*
Përpjekjet e Bashkësisë ndërkombëtare për të stabilizuar dhe qetësuar rajonin e Ballkanit kanë qenë të vazhdueshme, do mbeten dhe do jenë edhe më tutje një ndër pikat më të rëndësishme dhe strategjike për ardhmërinë e këtij rajoni në përgjithësi. Ato, jo vetëm kanë arritur që të krijojnë kushte të qartësimit dhe të vullnetit të përbashkët të palëve të përfshira në shuarjen e “zjarrit ballkanik”, por edhe hapjes së një faqeje të re dhe një vizioni të qartë drejt rrugës së përbashkët të integrimeve euroatlantike. Nevoja e madhe e popujve që kishin përjetuar tragjedinë më të tmerrshme ishte që prania e bashkësisë ndërkombëtare në vendin e tyre të konsiderohej si një ndër nevojat më të mëdha dhe historike për të mos lejuar më që e kaluara të përsëritet dhe që konfliktet të merrnin shkallën e gjerë dhe të lartë të gjakderdhjeve.
Kështu, edhe pas luftërave të tmerrshme në ish-Jugosllavi lindi nevoja dhe se kërkesat gjithsesi se ishin imediate që prania e komunitetit ndërkombëtar të kishte vendin e duhur në mesin e këtyre kacafytjeve që burimin e kishin shekuj me parë.
Të gjitha luftërat që u zhvilluan në territorin e ish-Jugosllavisë buronin nga keqkuptimet e mëdha ndërmjet etniteteve autoktone dhe atyre të ardhura si dhe problemeve që mbolli perandoria otomane, ku mund të thuhet më gjithë mend se e përdhosi dhe e zhyti këtë siujdhesë në një gjendje të tmerrshme të luftës për identitet dhe etnicitet, ngase popujt që ishin nën sundimin e perandorisë otomane, kishin humbur identitetin dhe kulturën e tyre origjinale, por edhe esencën e të qenit komb.
Lufta e fundit e ish-Jugosllavisë që përfundoi në Kosovë me një gjakderdhje të gjatë, la pasoja të tmerrshme dhe krijoi edhe hapësirë që pas kësaj tragjedie shtetet që ishin përgjakur, të ndërmerrnin hapat e parë të ndërtimit nga e parë të shtetit të tyre, duke pasur gjithnjë ndihmën e pakursyer të bashkësisë ndërkombëtare, e cila kishte ndërhyrë dhe i kishte dalë në ndihmë këtij populli të pambrojtur më 24 mars 1999. Kjo ndihmesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar ishte një shkëndijë e madhe shprese e popullit të vuajtur dhe të trajtuar si më keq nga ana e shtetit serb, të udhëhequr nga diktatori i fundshekullit XX, Sllobodan Millosheviç. Shpëtimi, që kërkonte populli i Kosovës, i erdhi vetëm falë ndërhyrjes së forcave të NATO-s të cilat e shporrën jashtë hordhinë e vjetër dhe egërsinë e kësaj siujdhese ballkanike, pra shtetin kolonialist dhe diktatorial serb. Ardhja e trupave të NATO-së në Kosovë përbënte në vete një rëndësi historike dhe tepër të rëndësishme e domethënëse për ardhmërinë e Kosovës dhe ndërtimit të paqes dhe stabilitetit të brishtë të saj.
Ndërsa prania e NATO-s, respektivisht KFOR-it, në Kosovë është e një rëndësie të jashtëzakonshme dhe kjo ngase ajo kishte dhe ka si qëllim të lartë pengimin e ripërtëritjes së armiqësive, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të brendshëm të Kosovës, pastaj parandalimin e kthimit të paramilitarëve serbë në Kosovë, gjithashtu KFOR-i tani ka krijuar një ambient të sigurt për të gjithë pa marrë parasysh përkatësin e tyre, po ashtu forca e KFOR-it angazhohet edhe për përkrahjen, ruajtjen dhe ka si përgjegjësi garantimin e sigurisë për praninë civile ndërkombëtare që është aktualisht në Kosovë, UNMIK dhe EULEX. Pastaj siguron një lëvizje të lirë për qytetarët e të gjitha nacionaliteteve në Kosovë etj., etj.
Ndërkaq, më pas, vendosja e pranisë civile (UNMIK) gjithsesi që në vete përbën tri gjëra thelbësore për demokracinë e re në Ballkan: ndërtimin e Kosovës në rrafshin e sistemit të brendshëm politik dhe ekonomik, forcimin e pozicionit të saj dhe hapjen e rrugës së Kosovës për të vepruar dhe për të zgjidhur fatin e saj politik.
Siç edhe ndodhi, Kosova pas shumë përpjekje bisedimesh të cilat nuk mbërritën në rezultatin e duhur për shkak të dallimeve të mëdha, ajo arriti të shpallte pavarësinë e saj të mbikëqyrur më 17 shkurt të vitit 2008. Prandaj, siç dihet, UNMIK-u gjatë periudhës së parë të tranzicionit kishte kompetenca të theksuara dhe ekzekutive, tani pas shpalljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, UNMIK-u është një vëzhgues i lehtë ndërkombëtar, por jo i parëndësishëm, siç po flitet në politikën e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës.
Sepse, në rast se UNMIK-u ishte i favorshëm në kohën kur mbaroi lufta dhe kishte bazë juridike për të vepruar, fuqinë ende nuk e ka humbur sepse rezoluta 1244 ende figuron si bazë juridike edhe për KFOR-in, por edhe për praninë e tanishme civile, pra sido që të flasin pushtetarët, ata mund ta gënjejnë vetveten, por jo edhe komunitetin ndërkombëtar, sepse ja ç’thuhet në tekstin e misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë. Aty thuhet kështu: “EULEX-i, i cili parashihet që të funksionojë mbi bazën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si pasojë e mungesës së mbështetjes për pakon e Ahtisarit në Këshillin e Sigurimit, është futur nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244”. Prandaj kërkesa e politikës së Kosovës për shuarjen e UNMIK-ut është jo racionale, e pamatur dhe aspak serioze e jovlerësuese, sepse do ta rrezikonte praninë e tanishme civile EULEX dhe KFOR, që si bazë kanë dokumentin e cekur më lart dhe po hoqëm dorë nga njëri, bien të gjithë dhe po iki njëri, tjetri nuk ka bazë më, prandaj duhet vëmendje e duhur dhe një vetëdijesim i politikës kosovare në veprimet që bën sepse mund t'i kushtojë shtrenjtë në të ardhmen.
Duhet ditur se tranzicioni i parë ka mbaruar dhe tani UNMIK-u është në hije, por edhe kjo hije që i ka mbetur, ka vend për dukje, sidomos sa upërket disa gjërave që janë të rëndësishme për Kosovën, siç është: gjetja e personave të zhdukur dhe një mori çështjesh tjera që i ka si barrë ky organizëm në Kosovë, pastaj në të ardhmen do mund të kontribuonte në anëtarësimin e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës në OKB etj., etj. Gjithashtu, duhet cekur se në Kosovë ekzistojnë tri periudha të tranzicionit: periudha e parë është ajo e UNMIK-ut për të mësuar institucionet e reja të ndërtojnë sistemin demokratik dhe arritjen deri në këtë pikë, që tani jemi, tranzicioni i dytë është ai i EULEX-it dhe procesi i tanishëm i asistencës ndërkombëtare në aspektin e rendit, ligjit, zhvillimit ekonomik etj., etj., si dhe tranzicioni i tretë është ai i përgatitjes së Kosovës për t'u integruar në sistemin e Bashkimit Evropian, pra me një fjalë, mund të thuhet se tranzicioni, siç po flitet andejpari, nuk ka përfunduar ende, por ai është në gjysmë të rrugës.
Dhe krejt në fund pas gjithë këtyre ngjarjeve të mëdha që ka përjetuar rajoni i Ballkanit dhe veçanërisht Kosova, nuk do ishte e udhës që shqiptarët e Kosovës ta vënë edhe një herë pozicionin e tyre në dilemë dhe pikëpyetje të madhe kundrejt bashkësisë ndërkombëtare, si dhe ta braktisin ardhmërinë duke hequr dorë nga përkrahja e komunitetit ndërkombëtar e cila është e një rëndësie historike dhe strategjike për vendin. Por siç po shihet, pushtetarët janë bërë si “koka turku” dhe kanë filluar të konsiderojnë veten si “vetëçlirues”, duke harruar se pa përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, respektivisht SHBA-së dhe NATO-s, nuk do të ishte Kosova si në ditët tona dhe ajo është e nevojshme të qëndrojë në Kosovë, sepse shteti serb e ka gojën hapur dhe vetëm pret se si ta gjejë mënyrën që ta gllabërojë një ditë Kosovën, por duhet falënderuar praninë e KFOR-it dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, të cilat e ndalojnë këtë hap të shtetit serb, prandaj nuk duhet luajtur me rregullat ndërkombëtare që i ka vënë bashkësia ndërkombëtare, sepse do të rrezikohet pozicioni i Kosovës dhe ardhmëria e saj evropiane.
*Autori është politolog dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare