Transporti urban, shoqata kërkon ngritjen e çmimit të biletave

Dhoma e Tregëtisë dhe Shoqata Kombëtare e Transportit organizuan një takim ku u kërkua ndryshimi i çmimeve të transportit urban. Shoqata e Transportit kërkon deçentralizimin e pushtetit lokal në mënyrë që çmimi i biletës të vendoset nga bashkitë, gjithashtu në bazë të abuzimeve që bëhen nga qytetarë të ndryshëm me pagesën e biletës ajo sheh të arsyeshme miratimin e një skeme ku të tregohen personat të cilët përfitojnë udhëtimin falas. Dy nga përfaqësuesit e kësaj shoqate Gugash Dallia dhe Hazbi Parllaku vunë në dukje problematikën që hasin operatorët privatë të tranportit. Sipas tyre për individë si veteranët, tetraplegjikët, dhe invalidët të cilët përfitojnë transport falas nuk mbrohen organet përkatëse shtetërore që i kanë nën mbikëqyrje duke i paguar subvencione kompanive private. Që të rritet cilësia e këtij shërbimi është e nevojshme të merren parasysh këto kërkesa, dhe ky projekt vendim të kthehet në vendim u shperh kryetari i dhomës ë tregëtisë, Gjok Uldedaj. Çështje tjetër delikate mbetet edhe ajo e rritjes së çmimit të aboneve, pasi vlera reale e saj duhet të ishte 2200 lekë dhe ajo shitet me 1400 lekë. Para disa muajsh çmimi i biletës u ngrit sepse kompanitë rrezikonin falimentimin, për këtë arsye kjo shoqatë kërkon edhe njëherë rishikimin e çmimit. Në këtë takim morrën pjesë përfaqësues nga Ministria e Transporteve dhe Punëve Publike dhe Bashkia së Tiranës.