E Diel, 1 Nëntor 2026

Transportonin 215 kg marijuanë, pranga korrierëve nga Tepelena

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 22-02-2011 10:26

DURRËS Një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, e llojit cannabis sativa (marijuanë), është kapur ditën e djeshme nga efektivat policore të Durrësit, në kohën që ajo ishte duke mbërritur në destinacion. 214 kg marijuanë ka qenë e fshehur në një fuoristradë tip Hunday, me targa të huaja, ndërsa një mjet tjetër ishte pas saj dhe e shoqëronte gjatë gjithë rrugës. Burime të Policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se sasia e lëndës narkotike dyshohet se kishte si destinacion tregun vendas, kryesisht qytetet e Durrësit dhe Tiranës. Kjo sasi është më e madhja e kapur në qytetin e Durrësit, që nga fillimi i këtij viti. Ajo është kapur në orët e para të mëngjesit, në fuoristradën tip Hunday, me targa 162 BRL, dhe mjetin tjetër tip Mercedes Benz, me targa BT 710 LZ. Policia ka arrestuar dy persona që ishin duke drejtuar mjetet e mësipërme, Neuland Miçi 32 vjeç dhe Ylli Çako 42 vjeç, që të dy banorë të Tepelenës. Kjo sasi marijuane ka qenë e fshehur në 200 pako plastike, pesha totale e të cilave ka qenë 214.82 kg. Të gjitha pakot kanë qenë të fshehura në mjetin tip Hunday, ndërsa mjeti tjetër ka qenë shoqërues i fuoristradës. Burimet e policisë kanë bërë të ditur se sasia e lëndës narkotike, që është kapur dje në mëngjes herët, është nisur nga Tepelena dhe për kapjen e saj strukturat policore janë ndihmuar nga informacione të marra në rrugë operative. Mjetet me të cilat është transportuar ajo nuk kanë qenë të regjistruara në emrat e dy personave të arrestuar dhe për këtë arsye, policia është duke hetuar rreth përfshirjes së personave të tjerë në këtë ngjarje. Të dy personat e arrestuar në këtë trafik të lëndëve narkotike, mendohet se janë thjesht korrierë të saj dhe jo pronarët e saj. Nga ana tjetër, policia ka bërë të ditur se personat e arrestuar janë me precedent penal. Neuland Miçi ka qenë i dënuar më parë për vjedhje, kurse Ylli Çako është dënuar në Greqi për vepra të ndryshme penale. Policia ka bllokuar të gjithë lëndën narkotike dhe më pas ka sekuestruar dy mjetet, si dhe sendet personale të autorëve të këtij trafiku. Burimet policore kanë bërë me dije se pritet arrestimi i personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë ngjarje, megjithëse fill pas arrestimit, personat e kapur me dy mjetet që udhëtonin nga Tepelena drejt Tiranës, nuk kanë deklaruar asgjë rreth përfshirjes së personave të tjerë. Kjo është sasia e dytë e marijuanës, që kapet që nga fillimi i këtij viti, nga efektivat e antidrogës në Durrës. Në total deri tani, kjo strukturë ka kapur 325 kg cannabis sativa dhe 9.7 kg heroinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›