Tranzicion i përhershëm

Përmes një sërë mediumesh, të cilat përfshijnë instalacione, video-projeksione dhe postera, si dhe një vepër arti lëvizëse në formën e një modeleje të veshur në mënyrë të veçantë, autori shpreh në 11 vepra nevojën për reflektim mbi realitetin që përjetojmë çdo ditë dhe problemet që hasen atje ku mbizotëron padrejtësia, korrupsioni dhe anarkia.
“Me këtë ekspozitë shpreh një shqetësim mbi realitetin shqiptar. Vepra rezonon me vendin dhe prandaj vendosa që ta hap ekspozitën në Tiranë. Me këto vepra, synoj të provokoj publikun që të reagojë, pasi publiku shqiptar pothuajse nuk reagon më për asgjë. Nëpërmjet këtij arti aktiv i shërbejmë një ndryshimi”, u shpreh artisti Andis Gjoni.
Ekspozita e titulluar "Tranzicion i përhershëm" del jashtë kornizave të artit konvencional, duke ndërthurur vizione tronditëse dhe objekte që zakonisht nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, me emocione njerëzore dhe të pathëna të vërteta.
Andis Gjoni u lind në Tiranë në vitin 1968, ndërsa prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Njihet edhe si skenograf e regjisor. Ndër të tjera ka realizuar skenografinë e disa shfaqjeve të njohura në teatrot dhe operat e Nju Xhersit dhe Nju Jorkut.