Tranzicioni i fotografuar shqiptar
Me iniciativë të Galerisë Kombëtare të Arteve, në Tiranë, të Këshillit Britanik dhe të Magnum Photos, të martën në kryeqytetin e Shqipërisë u hap ekspozita e fotografit të mirënjohur botëror, Martin Parr.
Ky i fundit para audiencës në Tiranë u prezantuar me tre punime: Shqipëria gjatë vitit 1990; Common Sense 1995-98; dhe Small World 1989-2007.
Gjatë vitit 1990, menjëherë pas rënies së murit të Berlinit, Martin Parr, i shoqëruar edhe nga 12 turistë të tjerë, ishte nisur drejt Shqipërisë, e cila asokohe ende po udhëhiqej nga Partia Komuniste. Qëllimi ishte që t’i bohej një vizitë vendeve arkeologjike në Shqipëri.
Meqenëse Perr është fotograf, ai kishte vendosur që edhe të fotografonte çdo gjë që i dukej e jashtëzakonshme.
“Kontakova me një revistë angleze, për të cilët edhe punoja si fotografë i lirë, dhe u tregova që isha duke shkuar për në Shqipëri. Ata më siguruan edhe një gazetar, kështu që ne të dy filluam të bënim edhe një rrëfim tjetër, atë për komunizmin në Shqipëri”, tregon Parr.
Gjatë gjithë ditës ata po bënin vizita arkeologjike, nga tetë orë pandërprerë. Si rrjedhojë, Parr mundohej të zgjohej sa më herët, në mënyrë që t’i shfrytëzonte tri orët e para të mëngjesit për të fotografuar nëpër rrugët e Shqipërisë.
“Isha i mahnitur me Shqipërinë, dhe mundohesha që sa më shumë të fotografoja dhe ta dokumentoja realitetin e asaj kohe. Asokohe më lan shumë përshtypje zemërgjerësia dhe mikpritja e njerëzve të këtushëm”, kujton ai.
Fotografi britanik zbulon se gjithmonë kishte dashur që të rikthehej në Shqipëri, kështu që tani ndjehet shumë i privilegjuar për ftesën që i është bërë për të ekspozuar në Tiranë, por edhe për t’u kthyer pas aq shumë vitesh që ta prezantojë punën e tij të realizuar dikur këtu. Natyrisht, pa harruar që me vete të sillte edhe dy punët e reja të tij.
“Është kjo hera e parë që po i prezantojë fotografitë që i realizova dikur në Tiranë, ndërkohë që dy punimet e tjera, gjithashtu të prezantuara gjatë kësaj ekspozite, tashmë janë duke u shfaqur edhe nëpër ekspozita në gjithë botën, përfshirë këtu edhe galeritë më në zë”, shprehet Parr.
Për Parr është një ndjenjë shumë e mirë kur sheh se sa shumë ka ndryshuar Shqipëria që nga koha kur, në fillim të viteve të 90’a, kishte shkrepur fotografitë e para kushtuar asaj.
“Mendoj se keni ecur shumë përpara. Madje, shumë më shpejtë se disa shtete tjera të dala nga komunizmi”, pohon ai.
Ndryshe, ekspozitën e fotografit Martin Parr erdhën që ta shihnin shumë personalitete të mirënjohura të artit në Shqipëri. I pranishëm ishte edhe kryeministri i Republikës, Sali Berisha, por edhe shumë artdashës kosovarë, të cilët kishin udhëtuar në Tiranë enkas për këtë ekspozitë.
Për Eni Nurkollarin, i cili erdhi nga Prizreni për ta parë ekspozitën e Parr, “ky ishte një rast i shkëlqyeshëm për të parë nga afër ekspozitën, në të cilën ishte i pranishëm edhe vetë autori”.
“Me autorin patëm mundësi që të shkëmbenim disa fjalë rreth fotografisë dhe artit në përgjithësi. Unë, personalisht, disa punime të tij i kam parë dhe më herët, por jo edhe punën që e kishte realizuar në Shqipëri. Jam shumë i kënaqur që, përveç ekspozitës dhe punës së tij të shkëlqyeshme, pata rastin të njihesha dhe të shoqërohesha edhe me njerëz të këtushëm. Shpresoj shumë që edhe në Kosovë do të ndërmerren iniciativa të ngjashme, për sjelljen e fotografëve dhe artistëve të mirënjohur botëror”, u shpreh Nurkollari.
Gjatë ekspozitës në Tiranë, fotografi bërë një kërkesë publike në mediat shqiptare që, nëse ndokush e sheh veten në fotografitë e tij, t’i paraqitet dhe të marrë fotografinë e printuar, si dhuratë nga Martin Parr.
Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Martin Parr pati edhe një takim të ndarë me studentët e artit në Shqipëri.