E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendosja e talentit në gjërat e hiçit

"Për Francën" i prezantuar në Ditët e Frankofonisë, është një libër Francën, i botuar nga një ballkanas. Emil Ciorani të jep ndjesinë se ky vend është vëzhguar nga brenda tempullit


Në fillim fare, teksa isha duke hedhur mbi fletë fjalët e para të librit të Cioranit "Për Francën", unë nuk kuptoja cila ishte ajo shtysë që më kishte bërë të përktheja bash këtë libër dhe jo tjetër.


Mëtimit për një gjuhë dhe stil më të arrirë i dridheshin gjunjët, sepse edhe në librat e tjerë Ciorani është shkrimtar dhe filozof i përkorë, sqimatar, dhe shumë herë rrjedha ligjërimore e tij është një ujëvarë pikëllimi e zezë, e cila thërrmohet gjithë shkumë në brigje, duke lënë aty brilante metaforash dhe diamante rrezëllyes aforizmash.


Sapo kisha përkthyer librin e Baudrillard-it "Amerika" dhe, më vonë, duke e kapur veten gafil, ftillova se ishte ky libër, që më kishte cytur në mënyrë intuitive të zgjidhja këtë libër dhe jo kënd tjetër.


Libri "Amerika" është një libër për Amerikën i shkruar nga një francez. E gjithë materia letrare e këtij libri, brenda ndërgjegjes sime, me sa duket kërkonte një ledh ku të mbështetej, kërkonte një simetri që të mos vaisej e binte.


Libri "Për Francën" është një libër Francën, i botuar nga një ballkanas. Kësisoj balanca është gjetur dhe simetria është vendosur në mënyrë instiktive. Teksa lexon "Amerikën" e Baudrillard-it ke ndjesinë se ajo është kundruar së jashtmi, me objektivin e një aparati fotografik, i cili herë e afron dhe herë e largon objektivin e vëzhguar.


Në funksion të kësaj edhe tonet e librit janë ironike, sarkastike, gazmore, shkujdesëse. Tek Ciorani, përkundrazi, ke ndjesinë se Franca është vëzhguar nga brenda tempullit, është marrë material biopsik nga organet e brendshme dhe është vendosur mbi lupën e mikroskopit. Kësisoj, tonet e këtij libri janë profetike, apokaliptike.


Baudrillard-i shpjegon se e gjithë kultura amerikane ka në themelet e saj shkretëtirën. Me demek asgjënë. Ai, përkundrejt polemikave tona zulmëmëdha për identitet dhe nacionalizëm, ftillon se e ardhmja iu takon popujve pa identitet, d.m.th amerikanëve dhe japonezëve. Franca e Cioranit është Franca e shijes së formës. Çdo gjë që kapërcen formën s'është gjë tjetër veçse patologji e shijes.


Francezit i pëlqen më shumë një gënjeshtër e treguar bukur, sesa një e vërtetë e formuluar keq. Një popull me shije të mirë nuk mund ta dojë sublimen, e cila nuk është veçse preferencë e shijes së keqe, e mbartur tek monumentalja. Kësisoj Franca i përket më shumë Malarmesë sesa Hygoit.


Amerika e Baudrillard-it është vendi i lirive të mëdha, i njerëzve që marrin seriozisht gjithccka: punën, lodrat, dashurinë, udhëtimet. Francezët kanë luftuar që të kenë diçka për ta treguar.


Asnjë domosdoshmëri për aventura të mëdha, kërkonit veç të ishin të mëdhenj në sytë e Parisit. S'e kanë sëmundjen e udhëtimit, por atë të boduarit, sallonit, pronës. Kujtojmë me këtë rast Baudelair-in, i cili kishte prerë edhe biletën për t'u nisur në Indi, por nuk ikte dot sepse s'mund ta linte dot Parisin dhe lagjen latine.


E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Drieu La Rechaile, një shkrimtar tjetër i madh, i cili, siç shpjegon në një ese të vet Borgesi, u bë fashist ngase nuk e braktiste dot Parisin.


Franca është e madhe për hiçësirat. Ka gjasa që, përfundimisht, qytetërimi të mos jetë gjë tjetër veçse stërhollim i banalitetit, lëmim i gjërave imcake dhe ruajtje e një dromce zgjuarsi në rastësore e të përditshmes. Me demek, duke e bërë budallallëkun natyral, sa më durueshëm që është e mundur, duke e mbështjellë me hijeshi, duke i dhënë lustër dhe finesë. Është e padyshimtë që bash tek francezët gjen më pak budallenj të thellë, të pashërueshëm, të përjetshëm.


Vetë gjuha iu kundërvihet. Në bistronë e Parisit dëgjon replika sallonesh. Kombi nuk lejon as thellësinë, as budallallëkun, të cilët gjetiu iu jepen milionave njerëzve të dosidoshëm, apo disa gjenive të pashoq. Franca humbet ekuilibrin, nëse del prej mediokritetit. "Një libër duhet të trazojë plagë, thotë Ciorani tek "Shpartallimi", madje duhet t'i shkaktojë vetë ato.


Një libër duhet të jetë një rrezik". Libri për Francën është një libër që trazon plagë, sepse është për dekadencën e Francës, për rënien e saj, pra është kronika e një vdekjeje të paralajmëruar. Kësisoj lypej që libri të ishte një ftesë morti, një elegji e trishtuar, por jo, ai është një odë dashurie. Është e tillë sepse autori ka tjetër mendim për të zezën dhe errësirën.


"Është Franca, që më ka mësuar se me gjërat serioze duhet marrë në errësirë, kurse në publik duhet tallur me gjithçka. Mërzia, pikëllimi, janë gjendjet natyrale të njeriut, janë shtresat e zeza qymyrgurore nën të cilat lind floriri i vlerave"-thotë ai.


Dekadenca e një kombi është kulti i veçantë për jetën dhe të jetuarit. Ora e ngrënies shfaqet si liturgjia e përditshme e zbrazëtisë shpirtërore. Mbi rrënojat e trimërive të së shkuarës shfaqet borgjezi i vogël që ka veç hallin e vet, si dhe ëndjet e shpëlara të mediokërve.


Transformimi i kësaj nevoje biologjike në një fenomen qytetërues është hapi më i rrezikshëm. Dekadenca është shpalosje e shkretëtirës dhe e zbrazëtisë. Në Francë s'bëhen më fëmijë, sepse stërhollimi seksual dhe epshi i kanë dhënë dutkat institucionit të familjes.


Dekadenca është shugatja e instinkteve, është triumfi i triumfi i arsyes dhe racionalitetit. Dekadenca është zgjimi dhe kulturimi i turmave dhe, menjëherë, pastaj, vrasja e miteve dhe shfaqja e varrezës mitologjike. Është një shkreti ku s'ka më profetë dhe heronj. Rreziku i qytetërimeve në orën e maturisë është zhdukja e irracionales prej gjakut. Një pikë ndërgjegje në gjakun e tyre dhe peizazhi i botës ndryshon.


Por dekadenca, e vështruar nga Ciorani, nuk është dramë, as tragjedi. Është një majë që iu tregon popujve të ardhmen e tyre. Tek Franca kjo majë është e gjitha e ngjyer në ar. Kjo dashuri e Cioranit për Francën ftillohet se tek ai ka tashmë diçka të fortë e të ngurtësuar prej saj, dhe kjo është gjuha frënge. E habitshme ta mendosh teksa në një libër tjetër, duke iu referuar Carl Gustav Carus-it, ai do të thotë:


"Nëse mund t'ju mësohej gjeografia pëllumbave postierë, njëhopshëm do të ndërpritej fluturimi i tyre i pandërgjegjshëm, që i çon drejt qëllimit. Shkrimtari që ndryshon gjuhë gjendet në situatën e këtij pëllumbi të mësuar dhe të hutuar."


Është e habitshme, sepse, duke qenë një shkrimtar rumun që jetonte në Francë, Ciorani vetiu ishte një nga këta pëllumba postierë. Francezët i kanë dhënë botës një zhanër të ri: zhanrin e ornamentit. Elegant, steril në përsosmëri. Nëse arkitektura gotike gjermane, p.sh.


Do të ishte një ulërimë vertikale drejtuar Zotit, tek francezët kjo arkitekturë do ta thyente turrin, do t'i viheshin frerë e yzengji, do të ëmbëlsohej e zbutej. Por ornamenti nuk ka qenë asnjëherë më i qartë sesa tek shkrimi, i cili e arriti kulmin me Paul Valery-në.


Sekreti i Valery-së është heqja dorë prej përmbajtjes, stërhollimi i stilit, parfumizimi dhe aromatizimi i fjalëve. Kujtoni thënien e tij: "Në poezinë e mirë, lëvizja e një fjale, ashtu si lëvizja e një guri shahu, i hap rrugë lëvizjeve të tjera". Apo thënien e Mallarme-së drejtuar Degas-it "Vargjet nuk bëhen me ide, i dashur Degas, por me fjalë", thënie e cila ka pasur rolin e një fati dhe të cilës i referohet Borgesi, Eco dhe Roland Barthes.


Mendime të tilla i kanë dhënë Cioranit namin e fashistit dhe, siç shpjegon Milan Kundera në librin "Perdja", është arritur gjer aty sa, një grup poetësh të rinj rumunë në vitin 1996 të shkonin në Paris, të zbulonin varrin e Cioranit, të merrnin eshtrat e dorës së djathtë dhe t'ia vendosnin në nderimin fashist, zaten t'i përmirrnin varrin. Ky gjest bëri veprimin e kundërt. Fenomene të tilla kanë ndodhur edhe me Heiddegerin, Pirre Drieu La Richele...etj.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›