E Diel, 1 Nëntor 2026

Trashëgimia kulturore pika kyçe ku duhet të mbështetet zhvillimi i Gjirokastrës



Gjirokastra, një nga qytet-muzetë që prej vitit 1963 më datë 15 korrik 2005 u pranua "Pasuri e Trashëgimisë Kulturore Botërore" në UNESCO. Në këto pesë vjet ajo është shndërruar në një destinacion të rëndësishëm turistik për Shqipërinë. Përfshirja në listën e “Pasurive të Trashëgimisë Kulturore Botërore” ishte ngjarje e jashtëzakonshme që e ndryshoi jetën e qytetit në jug të Shqipërisë dhe përcaktoi si prioritet të zhvillimit ruajtjen e vlerave të trashëgimisë dhe zhvillimin e turizmit. Për të parën herë është hapur në Gjirokastër edhe një zyrë për informacionin turistik, zyrë që u ka shërbyer kontakteve me agjenci vendase e të huaja. Por me gjithë arritjet, mjaft nga monumentet e kulturës janë ende në rrezik dhe vëmendja e shtetit dhe e donatorëve është ende e pakët. Për drejtorin e kulturës në Gjirokastër, Thimjo Fili, pranimi në UNESCO ndryshoi fillimisht mentalitetin e qytetarëve, "u hap një portë e madhe për qytetin e lashtë të Gjirokastrës. Në momentin e parë të duket sikur nuk ka ndodhur asgjë e veçantë. Por më pas gjirokastritët e kuptuan nga ardhja e turistëve, numri të cilëve po rritej çdo ditë. Dhe kjo bëri që qytetarët të kuptojnë se hyrja në UNESCO qe një gjë e madhe, e jashtëzakonshme”. Po për të përballuar sfidat e konkurrencës dhe për të realizuar objektivat e ofertës turistike në kontekstin rajonal nuk mjafton vetëm kaq. Ndaj Silva Kekezi, përgjegjëse e kulturës e zhvillimit në prefekturën Gjirokastrës, pohon se "pika kyçe ku duhet të mbështetet gjithë zhvillimi i qytetit është trashëgimia kulturore, është promovimi kësaj trashëgimie, investimi për turizmin dhe restaurimet. Në këto pesë vite Gjirokastra po përballet me rrezikun e braktisjes, të problemeve të pazgjidhura pronësore si dhe të investimeve jo të mjaftueshme restauratore. Drejtor i organizatës për ruajtjen dhe zhvillimin e Gjirokastrës, Sadi Petrela, thotë se "nuk është e pamundur, por thashë se duhet një vullnet i bashkuar i pronarëve, një ndërhyrje e fuqishme e shtetit, ndoshta ndryshim e modifikim në legjislacion, ose le të themi riaktivizim i legjislacionit të vjetër”. Në Gjirokastër në këto pesë vjet shteti le të themi është zgjuar nga hutimi i tranzicionit dhe po investon në restaurime dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë. Jorgo Xuhano, një prej drejtuesve të kompanive restauratore thotë: "kjo traditë vijon për arsye se specialistët janë në qytetin tonë, dhe ne po vazhdojmë me këta specialistë që kanë mbi 40 vjet që punojnë në këto restaurime të monumenteve të kulturës". Ndonëse jo me ritmin që do ta dëshironin qytetarët, Gjirokastra po ecën drejt destinacionit si një prej qendrave më të rëndësishme të kulturës kombëtare shqiptare, një qendër e rëndësishme turistike. Alma Dhrami, është pronare e një prej shitoreve të mëdha të suvenireve në pazarin karakteristik. Ajo thotë se "lëvizja e njerëzve është shumë më e madhe nga vende të ndryshme të botës, sepse ka ndikuar hyrja e Gjirokastrës në UNESCO dhe jo vetëm ajo por janë bërë shumë restaurime, shumë rregullime. Turistët zakonisht kërkojnë gjëra simbolike, gjëra të traditës si qeleshe, gjëra tradicionale të vjetra, ose një portë, sofat etj. gjëra simbolike të Gjirokastrës”.
Gjirokastra është qytet në Shqipërinë jugore dhe shtrihet në shpatin e Malit të Gjerë. Nga faqja e këtij mali ajo zbret deri në buzën e lumit Drino, i cili krijon një luginë shumë të bukur ne anën lindore të saj. Pa dyshim që Gjirokastra është një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë për vlerat e saj arkitektonike dhe historike. Qyteti dominohet nga një kështjelle e mrekullueshme, dëshmitare e kohërave të ndryshme. Kalaja e Gjirokastrës si shume pjesë të tjera të trashëgimisë Shqiptare është në rrezik imediat. Kalaja është e ndërtuar mbi shkëmb, dhe rreth tij ka pas peme të shumta, të cilat ndalonin erozionin dhe rrëshqitjet e tokës. Prerjet e pemëve dekadën e fundit ka shkaktuar rrëshqitje te mëdha dhe ka zbuluar komplet themelet e kalasë. Muret lindore të kalasë kanë çarjet më të thella dhe që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Pa këtë ndërhyrje kjo pasuri e trashëgimisë Shqiptare rrezikon të humbasë. Gjirokastra është shpallur qytet-muze në vitin 1963 dhe në vitin 2005 është shpallur pasuri botërore nga UNESCO.

“Evropa në ekran”, kinemaja zbret në Berat
Java e 9-të e kinemasë spanjolle, nën emrin “Evropa në ekran” ka çelur mbrëmë në sheshin e Bibliotekës Publike të qytetit të një mijë e një dritareve, Beratit. Ky aktivitet i promovuar nga Ambasada Spanjolle, bëhet një nga transmetuesit më të mirë të kulturës. Sikundër nënvizon ambasada gjatë katër mbrëmjeve në këtë qytet do të projektohen një seri filmash spanjollë të realizuar në bashkëpunim me vende të BE-së, si Portugalia, Gjermania apo Franca. Filmat trajtojnë ndryshimet dhe sfidat që sikundër Spanja i ka përballuar edhe Evropa, në 50 vitet e fundit dhe me pesë portete, që reflektojnë aspekte të ndryshme të shoqërisë evropiane sipas vështrimit të kinemasë spanjolle. Në inaugurimin e aktivitetit “Evropa në ekran, do të marrë pjesë edhe vetë ambasadori i Spanjës, Manuel Montobbio, ndërsa në vijim do të shfaqet filmi “Një frankë, 14 peseta” i regjisorit Carlos Iglesias. Filmi vendoset në Spanjën e 1960, kur dy miq, Martín dhe Marcos, nisen për në Zvicër në kërkim të një pune. Ata lënë familjet në Spanjë dhe shkojnë drejt një jete të re, në Evropën e progresit dhe të lirive. Atje do të zbulojnë një mentalitet shumë të ndryshëm, me të cilin duhet të adaptohen duke punuar si mekanikë në një fabrikë të një fshati të vogël industrial. Me mbërritjen e Pilarit, gruas së Martinit dhe të djalit të tyre Pablo, si dhe të Carmen, që është e fejuara e Markos, përfundon jeta e burrave beqarë, në atë vend plot liri. Puna vazhdon përditë për Pilarin dhe Martinón, ndërsa djali fillon të shkojë në shkollë e të integrohet. Me vdekjen e babait të Martinit, Pilar dhe Pablo, mendojnë se atë që kishin kërkuar e kishin arritur tashmë dhe vendosin të kthehen. Por, për çudi të tyre, do të jetë më i vështirë kthimi se sa ikja nga vendlindja.

Biblioteka e Durrësit së shpejti me pamje të re
Biblioteka e Durrësit pritet të ndryshojë pamje, falë një fondi prej 1 milionë lekësh të lëvruar nga Këshilli Bashkiak për riparimin e pjesshëm të godinës. Dy muaj më parë tavanet e ndërtesës nisën të dëmtoheshin për shkak të lagështirës, duke rrezikuar edhe frekuentuesit e saj. Kushtet në të cilat ruhen librat në bibliotekë nuk përmbushin asnjë kriter, edhe pse në fondet e saj ka më shumë se 250 mijë tituj librash dhe koleksione periodikësh. Biblioteka e Durrësit, që administrohet nga Bashkia, ndodhet në të njëjtën banesë private, ku u themelua më 10 shtator, 1945. Megjithëse godina i është rikthyer formalisht ish-pronarëve, Durrësi me një popullsi prej 206 mijë banorësh vazhdon të ketë të njëjtën bibliotekë publike, si në kohën kur numëronte vetëm 12 mijë banorë.

Në Prishtinë nis “Java e artizanateve”

Në kryeqytet ka nisur “Java e artizanateve”, e cila mbahet në ambientet e Muzeut Etnologjik. Organizatorët kanë thënë se përmes këtij aktiviteti po synojnë të rikthejnë shumë pasuri tradicionale të popullit. “Shumë zeje të trashëguara që dita-ditës po izolohen, siç është ajo e filigranistëve, plisaxhinjve e drugdhendëseve, janë një pasuri kombëtare që duhen ruajtur. Ne po mundohemi t’i provojmë”, ka thënë njëri prej koordinatorëve të këtij projekti, Valon Shkodra. Ndërsa, filigranisti veteran, Bashkim Tejeci, i cili e punon këtë zeje që një kohë të gjatë, është shprehur i shqetësuar për fatin e artit që bën, për shkak se ky zanat nuk përkrahet nga asnjë institucion. Java e Artizanaleve financohet nga Ambasada Holandeze në Prishti

13 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›