E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, Sejdiu: “Asnjë ndryshim kufijsh, rrezikohet gjithë rajoni”



Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu në fjalimin vjetor para Parlamentit ka deklaruar se nuk do të ketë ndryshim kufijsh në të ardhmen dhe për më tepër Beogradi duhet të distancohet nga stimulimi i dhunës në veri të vendit. “Nuk kemi asnjë pëllëmbë toke për t’i falur dikujt”, ka deklaruar kreu i shtetit kosovar para deputetëve. Presidenti Sejdiu ka shtuar se lëvizja e kufijve mund të ketë efekt domino dhe mund të destabilizojë rajonin. Duke iu referuar dhunës në veri të Mitrovicës, Sejdiu tha se ajo vjen ardhur nga ata që e ndjekin politikën e vjetër të Millosheviçit.
Sipas tij, thirrjet e para disa ditëve në festën e Vidovdanit për luftë dhe urrejtje nga disa nacionalistë serbë tregojnë ekzistimin e një politike të vjetër, që i ka shkaktuar shumë vuajtje Kosovës. “Ende veprojnë forca krimi që vazhdojnë ta pengojnë suksesin e Kosovës, duke nxitur e duke krijuar skena dhune e terrori në pjesë të caktuara të vendit, veçanërisht në veri të Mitrovicës", ka thënë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ai ka akuzuar “forcat ekstremiste serbe” për dhunën e javëve të fundit në veri, ku gjeti vdekjen një mjek boshnjak dhe u plagos deputeti serb, Petar Miletiç. “Ne kemi detyrim kushtetues dhe ligjor ndaj qytetarëve të Kosovës për t’u siguruar jetën në paqe dhe të pacenuar nga banda të orkestruara. Paqja jonë të mos i mashtrojë këto grupe se mund të kthehen sërish me arsenale krimi. Ai u bëri thirrje zyrtarëve të Beogradit që të distancohen nga dhuna. “Ftoj zyrtarët e Beogradit, edhe presidentin Tadiç, të distancohen nga grupet e tilla që nxiten dhe përkrahen për të shkaktuar tensione dhe dhunë”, tha Sejdiu, duke vlerësuar se incidentet e fundit në veri, Beogradi zyrtar u përpoq t’i paraqiste si “pasojë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës”, duke provuar ta gjuajë gurin dhe ta fshehë dorën. Presidenti Sejdiu ka përjashtuar mundësinë e ndryshimit të kufijve. “Nga ky Kuvend, ne u themi sërish të gjithë atyre që flasin për ndryshime kufijsh dhe shkëmbime territoresh në mes Kosovës dhe Serbisë, se ne e kundërshtojmë forcërisht çdo ide të tillë të pamatur, sepse çmojmë realitetet ekzistuese në këtë pjesë të Europës Juglindore”. Ai vlerësoi se nëse Serbia synon Bashkimin Europian, duhet të largohet nga politika hegjemoniste. Duke shprehur mundësinë e bisedimeve Beogradin, presidenti theksoi se ato do ta jenë vetëm teknike dhe në asnjë mënyrë nuk do ta prekin statusin e Kosovës. Sejdiu, para ligjvënësve theksoi se Kosova është në rrugë të drejtë të integrimit dhe mosnjohja nga 5 vendet e BE-së nuk do ta ndalë rrugëtimin e vendit drejt BE-së. Ai ka kërkuar nga Komisioni Europian që edhe Kosova të përfitojë nga procesi i liberalizmit të vizave dhe shprehu besimin se viti i ardhshëm do të jetë viti i shpejtë drejtë integrimit.

BOX
Jeremiç: “Për bisedime rreth Kosovës, jemi të gatshëm për gjithçka”

Ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç ka bërë të ditur se përpjekjet e Beogradit janë përqendruar në sigurimin e bisedimeve të reja për statusin e Kosovës, ndonëse “kundër kësaj ideje janë një numër shtetesh jashtëzakonisht të fuqishme”. Ministri serb theksoi se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të japë opinionin e vet lidhur me pavarësinë e Kosovës “në një të ardhme shumë të afërt”. “Bazuar në ato që kemi mësuar nga burime të ndryshme kemi arsye për të qenë optimistë”, deklaroi Jeremiç.
Ministri i Jashtëm i Serbisë theksoi se Beogradi shpreson që në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të sigurojë shumicën e vendeve që besojnë se “zgjidhja e kompromisit për Kosovën mund të arrihet vetëm me negociata të reja”.

Vizita e Erdogan në Serbi, thellohet bashkëpunimi mes dy vendeve

Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka vizituar ditën e djeshme Serbinë, ku është takuar me homologun e tij serb, Mirko Cvetkoviç. “Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të mira, por ka vend për përmirësim”, deklaruan të dy kryeministrat. Erdogan theksoi se Ballkani “ka nevojë të demokratizohet” dhe se “asgjë e mirë nuk ka ardhur ndonjëherë nga urrejtja”. Po dje, dy ministrat e jashtëm të këtyre vendeve kanë nënshkruar marrëveshjen që mundëson heqjen e vizave për qytetarët e Serbisë. Serbia ishte vendi i vetëm në Ballkan, qytetarët e së cilës kishin nevojë për viza në Turqi. Erdogan, gjatë dy ditë më parë u takua me presidentin serb, Boris Tadiç. Tadiç e Erdogan morën pjesë në ceremonitë përkujtimore të 15 vjetorit të masakrës së Srebrenicës.

Iran
Prodhohet uranium i pasuruar për reaktor

Irani thotë se ka prodhuar afro 20 kilogramë uranium të pasuruar në shkallën 20 për qind. Zyrtari i lartë atomik iranian, Ali Akbar Salehi, tha se Irani aktualisht po “punon për prodhimin e karburantit”, duke theksuar se deri në shtator të vitit të ardhshëm, Irani do të jetë në gjendje vetë “ta furnizoj me karburant reaktorin kërkimor në Teheran”. Uraniumi i pasuruar mund të përdoret si karburant i reaktorëve atomik dhe pjesë e thelbit ndarës të bombës bërthamore. Perëndimi ka dyshime se Irani synon prodhimin e bombës atomike. Teherani i hedh poshtë këto akuza.

Gjiri i Meksikës
BP: Rrjedhja e naftës arriti në 3.5 miliardë dollarë

Gjiganti britanik, British Petroleum (BP), thotë se çmimi i veprimeve lidhur me rrjedhjen e naftës në Gjirin e Meksikës, ka arritur në 3.5 miliarda dollarë. Kompania bëri të ditur dje se në këtë shumë përfshihen afro 165 milionë dollarë pagesa për zgjidhjen e kërkesave individuale. Në këtë kuadër, sipas kompanisë, deri të shtunën janë pranuar 105 mijë kërkesa dhe janë bërë më se 52 mijë pagesa. Kompania thotë se ende është herët të vlerësohet çmimi total final i kompensimeve. “BP” ishte nën presion për ndaljen e rrjedhjes së naftës, e cila ka e ka ndotur bregdetin e pesë shteteve amerikane të Gjirit.

13 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›