E Diel, 1 Nëntor 2026

Trashëgimia kulturore vazhdon të mbrohet

Trashëgimia jonë kulturore po ndihet çdo ditë e më shumë e mbrojtur. Ndërhyrjet në përmirësimin e tyre po vazhdojnë në kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, duke treguar më shumë përkushtim dhe përkujdesje për pasuritë kombëtare. Sipas të dhënave nga Ministria e Kulturës, monumentet e trashëgimisë kulturore po ndihen më të sigurta meqenëse misioni për të monitoruar, mbrojtjen, restaurimin dhe promovimin e tyre në të gjitha zonat ku gjenden po vazhdon me një ritëm të lartë. Ndërkohë që në këtë projekt perëndimor me përmasa të gjera gjeografike përfshihen restaurimet madhore që janë kryer dhe po kryhen sot në Gjirokastër, Berat, Shkodër, Sarandë, Korçë, Dibër, Tropojë, Tiranë, Durrës etj.

Apolonia është parku arkeologjik me sipërfaqen më të madhe në Shqipëri dhe vetë krijimi i tij në vitin 2006 është një arritje që duhet nënvizuar nga të gjithë, ndërkohë që numri i vizitorëve nga momenti që ka filluar të funksionojë administrata e parkut është rritur sikurse edhe cilësia e vizitave të tyre. Duhet të rikujtojmë që në shumë destinacione kulturore, vizita kryhet me grupe të organizuara me guidën e tyre, ndërsa në raste të tjera informacioni i marrë në hyrje të monumentit dhe tabelat shpjeguese brenda tij (sikurse është shembulli i Butrintit, Shkodrës, apo Amfiteatrit Durrës), plotësojnë më së miri informacionin për vizitorët.

Në Kalanë e Peqinit po ndërhyhet aktualisht me një fond prej 470.000 lekësh për pastrimin e mjediseve të brendshme të saj, që i paraprin një financimi prej 4 milionë lekësh të planifikuar për vitin 2009 për restaurime thelbësore të kalasë dhe përmirësimin e vizitueshmërisë së saj.

Për kishën e Gjon Pagëzorit në Derven është me vend të nënvizojmë që gërmimi arkeologjik është kryer nga Instituti i Arkeologjisë, në kuadër të një marrëveshjeje trepalëshe mes Institutit të Arkeologjisë të përfaqësuar nga ish-drejtori Muzafer Korkuti, Institutit të Monumenteve të përfaqësuar nga ish-drejtori Apollon Baçe dhe Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës. Kjo kontratë me nr. 78 prot, dt. 30.1.2007, sanksionon që të ardhurat financiare për ekzekutimin e gërmimeve të shpëtimit arrijnë në 5.000 euro dhe garantohen nga pala italiane. Gërmimi i cili zbuloi një pjesë të kishës u ndërpre për shkaqe të panjohura, ndërsa ish-drejtuesi i atëhershëm i IMK, Apollon Baçe, nuk mori masa për shpalljen monument kulture të objektit, duke e ngarkuar atë personalisht me përgjegjësi për këtë neglizhencë.

MTKRS thekson edhe njëherë që puna e saj për restaurimin e monumenteve dhe promovimin e tyre po vazhdon me ritëm të lartë, ku vlen të përmendet edhe përfshirja e qytetit të Beratit në UNESCO, nëpërmjet një votimi ku të gjithë anëtarët njëzëri mbështetën kandidaturën e Shqipërisë ndërkohë që nesër pritet të zhvillohet një ceremoni me pjesëmarrjen e krerëve më të lartë të shtetit shqiptar dhe autoriteteve të UNESCO-s.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›