E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arti interpretativ “izolon” piratët

Dhëndrit dhe nuses nuk do t’i hidhen më para pa paguar taksën e muzikës popullore. Nëse deri më tani ne shijonim produktin e artit skenik “gratis”, sot nuk do të ketë më. Të gjitha subjektet private që shfrytëzojnë vepra intelektuale me qëllime përfitimi do të paguajnë detyrimisht një taksë vjetore. Në pamje të parë mund të tingëllojë paksa absurde si ide, por në të vërtetë Shqipëria është vendi i fundit evropian, i cili nuk zbaton me përpikëri këtë ligj, të drejtën e autorit. Gjatë viteve të fundit askush nuk ka ndeshur një rregullore “të ashpër” për të luftuar piraterinë, e cila në këtë pikëpamje është shndërruar në një fenomen negativ të shoqërisë që po zgjerohet çdo ditë e më shumë. Janë nënshkruar e firmosur një sërë traktatesh për të mbrojtur të drejtën intelektuale, por asnjëra prej tyre nuk ka gjetur zbatim në terren, sepse askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për të luftuar këtë “sëmundje” të shoqërisë, vjedhjen pa mëshirë të produksionit artistik të tjetrit, pa iu nënshtruar asnjë detyrimi monetar.

Po ndërkohë që vetëm pak kohë më parë është krijuar agjencia më e re që ka marrë përsipër këtë iniciativë, e cila deri më tani ka rezultuar si “misione imposibile” për kontratat e tjera të nënshkruara më parë. Agjencia për Mbrojtjen e Autorëve Interpretativë dhe Ekzekutues, AKDIE, është agjencia e tretë e licencuar nga MTKRS që do të luftojë piraterinë në vendin tonë. Muzika nëpër lokale, pub-e të ndryshme, apo diskoteka, filmat, apo produkte të tjera interpretative tashmë do të “dëmshpërblehen” me një tarifë të caktuar vjetore. AKDIE është një organizatë e cila me në krye drejtorin Arben Duro ka filluar ndërhyrjet “vjelëse” nëpër veprimtari private, menjëherë pas aprovimit të qëllimit të saj nga shteti. “Në kuadër të veprimtarive që mbrojnë pronësinë intelektuale, vetëm pak muaj më parë në vendin tonë është krijuar AKDIE (Agjencia për Mbrojtjen e Autorëve Interpretativë dhe Ekzekutues), e cila përfshin aktorë, këngëtarë, valltarë, instrumentist etj.”, - është shprehur drejtori i agjencisë më të re, Arben Duro. Ajo që e ka nxitur kryetarin e organizatës dhe njëkohësisht edhe autorin e këngës, “Djall dhe dreq”, të superojë këtë nismë është moszbatimi i së drejtës së autorit dhe pasojat negative që sjell ky fenomen në shoqërinë shqiptare. “Gjatë këtyre viteve janë miratuar një sërë ligjesh e nënshkruar një sërë konventash e traktatesh ndërkombëtare për këtë qëllim nga qeveritë shqiptare, por zbatimi i tyre në praktikë është ndeshur me sfida të shumta, që lidhen me aftësitë e strukturave, si dhe ndërgjegjësimin dhe informacionin jo të plotë të komunitetit të artistëve rreth këtij problemi. Botimet pirate kanë qenë të pranishme për vite të tëra në tregun shqiptar, ndërsa në ekrane televizive mund të gjesh pa frikë filma artistikë apo dokumentarë, që nuk kanë kaluar fare nga e drejta e autorit”, - tregon ai. Subjekti i kësaj kontrate pikësynon vetëm të luftojë piraterinë e produktit interpretativ. “AKDIE ka të bëjë me interpretuesit dhe me ekzekutuesit, pra kemi të bëjmë me këngëtarë, aktorë, valltarë, të gjithë interpretuesit në instrumentin e tyre, që vepra e bërë nga disa autorë luhet nga disa artistë të tjerë. Pra, arti ka këtë degë që lidhet direkt me autorin. Kjo degë që është AKDIE, mbron që nga muaji korrik i këtij viti, që nga dalja në Fletoren Zyrtare, e firmosur dhe nga ministri i Kulturës, shumë artistë, që deri më sot nuk janë mbrojtur”, - shprehet Duro, duke shtuar se “kjo ishte një kërkesë dhe e strukturave evropiane. Shqipëria, duke qenë se ka firmosur MSA-në me Evropën, kërkon që të zbatohet ligji për mbrojtjen e artistëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Në emisionet radiofonike apo televizive ne dëgjojmë këngë shqiptare dhe muzikë të huaj etj. Ky artist që është jashtë kufijve të Shqipërisë i mbrojtur në të gjithë botën, kërkon të mbrohet dhe në Shqipëri, kjo agjenci do ta bëjë këtë detyrë”. Çdokush që do të shfrytëzojë muzikën e artistëve, filmat, apo diçka tjetër do të paguajë një tarifë e cila do të marrë rreth 3 për qind e të ardhurave.

“Ne do t’i bëjmë me dije, që kushdo që përdor muzikë, të kuptoj se ka pagesë për të bërë. Çdo artist që interpreton do të përfitojnë nga veprat e tyre. Pra të gjitha subjektet private, që e përdorin për interesa fitimi do të paguajnë një taksë, që nuk është e lartë. Kështu subjekte të tilla, si lokale apo të tjera të këtij lloji do të paguajnë një tarifë që do të caktohet nga ne. Tarifat do ndërtohen nga bordi i AKDIE-së, megjithatë ne kemi menduar për tarifa të ulëta. Tarifat do të hartohen nga ne dhe do të kalojnë dhe nga ZSHDA. Radiot dhe televizionet brenda kufijve shqiptarë do të bashkëpunojmë me ne për tarifat, që ne kemi paraqitur. Do të bëhet nja aktmarrëveshje me ta. ZSHDA që ka të bëjë me interpretuesit dhe ekzekutuesit, pajis këto subjekte që kanë të bëjnë me të drejtën e autorit, me një autorizim ku i jep të drejtën që të transmetojë në linjën e vet muzikën, filmin etj.”, - ka shtuar më tej kryetari i AKDIE, duke vijuar po ashtu se “ka tarifa që do të jenë 3 % nga të ardhurat, do të kalojnë me të gjitha hallkat që kanë të bëjnë me artistët. Tarifat do ndërtohen nga bordi i AKDIE-së, megjithatë ne kemi menduar për tarifa të ulëta. Tarifat do të hartohen nga ne dhe do të kalojnë dhe nga ZSHDA. Radiot dhe televizionet brenda kufijve shqiptare do të bashkëpunojmë me ne për tarifat, që ne kemi paraqitur. Do të bëhet një aktmarrëveshje me ta. ZSHDA që ka të bëjë me interpretuesit dhe ekzekutuesit, pajis këto subjekte që kanë të bëjnë me të drejtën e autorit, me një autorizim ku i jep të drejtën që të transmetojë në linjën e vet, muzikën, filmin etj. Ne po bashkëpunojmë me të gjitha hallkat, ku dje firmosëm dhe një kontratë me QKK-në”.

suela furriku

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›