Travolta si ushtar serb

Skenarin e filmit “Killing Season” (Sezoni i Vrasjes) e ka shkruar Evan Daugherty, i cili e ka nënshkruar edhe skenarin për versionin e fundit filmik të përrallës “Borbardha dhe Shtatë Shkurtabiqët”.
Në filmin “Killing Season” Robert De Niro luan rolin e ish-veteranit ushtarak amerikan, i cili, derisa jeton një jetë të tërhequr në një shtëpizë malore takon dhe pastaj fillon të miqësohet me një turist (Travolta) evropian, i cili fillimisht duket se ka humbur rrugën.
Mirëpo, turisti në të vërtetë është një ushtar serb, i cili dëshiron t’i hakmerret veteranit amerikan për padrejtësitë gjatë luftës në ish-Jugosllavi.
Si regjisor i filmit përflitet emri i Mark Steven Johnson, ndërkohë që fillimi i xhirimit të tij pritet të fillojë më 16 janar 2012. Përndryshe kjo është hera e parë që Robert De Niro dhe John Travolta paraqiten në të njëjtin film.
"Jemi të lumtur që po e bashkëfinancojmë dhe bashkëprodhojmë këtë film me shtëpinë Corsan Pictures, por edhe që përsëri po punojmë me Robert De Niro’n dhe John Travolta’n. Asnjëherë më parë s’i kemi parë këta dy aktorë të luajnë së bashku, andaj po presim me padurim që të shohim se çfarë do të prodhojë ky kombinim”, thekson producenti i filmit, Avi Lerner.