LSI nis të bëjë hesapet

Të dyja mënyrat e organizimit të referendumit do të kalojnë në sitën e Gjykatës Kushtetuese. Pikërisht ky institucion mund të përbëjë pengesën kryesore edhe nëse LSI-ja, nismëtarja e referendumit, arrin të mbledhë qoftë 28 firmat e deputetëve apo 50 mijë të qytetarëve që kanë të drejtë të votojnë. LSI thotë se ka frikë se mund të pengohet ngaqë sipas saj, Gjykata Kushtetuese është nën kontrollin absolut të dy partive të mëdha. Pikërisht ky fakt mund të rrëzojë që pa u zhvilluar referendumi, ambiciet e firmëtarëve për të hedhur poshtë ndryshimet kushtetuese të miratuara në Kuvend. Të nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë përfaqësues të dy partive të mëdha, e për pasojë kalimi pa problem i shqyrtimit të ligjshmërisë së kërkesës për referendum do të mund të pasohej pa problem me rrëzimin e saj. Por, ndryshe nga rasti i mbledhjes së firmave të deputetëve, në atë të 50 mijë firmave nga populli, edhe KQZ-ja do të kishte rolin e saj. KQZ nuk pranon të komentojë zyrtarisht lidhur me mundësinë e mbledhjes së firmave nga populli, por burime në këtë komision sqarojnë procedurat. “Në rastin e mbledhjes së 28 firmave të deputetëve dhe dekretimit të datës nga presidenti, pas dhënies së “OK” më parë edhe nga Gjykata Kushtetuese, ne do të organizonim referendumin pa mëdyshje. Por në rastin tjetër, atë të mbledhjes së 50 mijë firmave, KQZ-ja do të votojë lidhur me pranimin ose jo të kërkesës. Do të shqyrtohet kërkesa, do të shikohet legjitimiteti dhe do të verifikohen firmat e mbledhura. Nëse me votim pranohet dhe firmat janë në rregull, sërish kalon në Gjykatën Kushtetuese”, - deklaroi një burim në KQZ. Ky institucion veç votimit që mund të rezultojë kundër referendumit, duke parë se nga 9 anëtarë vetëm dy janë nga partitë e vogla, ka për detyrë të verifikojë edhe firmat. Do të shikohet nëse firmëtarët janë pjesë e listave të votuesve, nëse janë gjallë apo kanë mbushur moshën 18 vjeç. Por edhe nëse këtu gjithçka shkon mirë, sërish është hallka e Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuta parashikon që në të dy rastet, janë 9 anëtarët e saj, përfaqësues të PS-së e PD-së, që verifikojnë ligjshmërinë. Neni 152, pika 1 përcakton: “Gjykata Kushtetuese shqyrton paraprakisht kushtetutshmërinë e çështjeve të shtruara për referendum brenda 60 ditësh”. Pikërisht gjatë këtij shqyrtimi, druajnë LSI-stët, ky institucion mund ta shndërrojë në një betejë të humbur luftën e LSI-së kundër ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit. Drejtues të LSI-së i kanë shprehur “Korrierit” frikën e bllokimit të nismës së tyre si në këtë gjykatë, ashtu edhe në KQZ, gjithmonë falë dominimit të këtyre institucioneve nga partitë e mëdha. saqellari@korrieri.com
REFERENDUMI
Neni 150
1. Populli nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.
2. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një të pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.
3. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj.
Neni 151
1. Ligji i miratuar me referendum shpallet nga Presidenti i Republikës.
2. Çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë nuk mund të shtrohen në asnjë referendum.
Neni 152
1. Gjykata Kushtetuese shqyrton paraprakisht kushtetutshmërinë e çështjeve të shtruara për referendum sipas nenit 150, paragrafët 1 e 2 të nenit 151, dhe paragrafët 2 e 3, edhe sipas nenit 177 paragrafët 4 e 5 brenda 60 ditësh.
2. Rëndësia e çështjeve të veçanta, të parashikuara në nenin 150, paragrafët 1 e 2, nuk është objekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese.
3. Data e referendumit caktohet nga Presidenti i Republikës brenda 45 ditësh pas shpalljes së vendimit pozitiv të Gjykatës Kushtetuese, ose pas kalimit të afatit, brenda të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të shprehej. Gjatë vitit, referendumet zhvillohen vetëm në një ditë.