Nanon takon Dulen. Kreu i PDBNJ: Ka votën time. Nano: Procesi po gjeneron konsensus
I vetëofruari si kandidat për president, Fatos Nano, takoi kryetarin e PBDNJ, Vangjel Dule, për të diskutuar për platformën e tij presidenciale. Dule e ka shprehur dhe më parë mbështetjen e tij për Nanon. Edhe sot deklaroi të njëjtën gjë. E kemi mbështetur zotin Nano që në momentin e parë kur shpalli kandidaturën. Shpallja e saj ka gjeneruar një proces dhe një dialog është në zhvillim. Një jetë politike e tillë do i japë vendit zhvillimin e duhur, tha Dule.
Është e shprehur mbështetja ime dhe do zyrtarizohet me vendimmarrjen në strukturat e partisë. Vota jonë si në vitin 2007 do jetë për Nanon. Kandidatura dhe procesi i nisur nga zoti Nano është një benefit për demokracinë. Pra besojmë dhe duhet që forcat politike ta institucionalizojnë këtë klimë me mbështetjen për zotin Nano, vijoi Dule.
Ai paralajmëroi se ka shumë firmëtarë për emrin e Nanos. Do të ketë shumë nismëtarë, ne do jemi në pozitën modeste të nënshkruesve dhe të votuesve të kësaj kandidature.
Kurse Nano, që doli para mediave pak minuta më pas, tha se procesi po gjeneron konsensus. Nano uroi gazetarët në ditën e lirisë së medias. Së pari, më lejoni tiu uroj për ditën tuaj. Natyrisht ditë si kjo janë të dobishme edhe për politikën dhe unë besoj që siç e dëgjuat edhe zotin Dule, procesi po gjeneron konsensus në mbështetje të iniciativave kombëtare që na bashkojnë me Europën, tha Nano.
Ish- kryeministri tha se pret të takohet brenda javës me Berishën. I pyetur për deputetët që do firmosin për kandidaturën e tij, ai tha: Sigurisht që ka emra për të firmosur, por ky është problemi im i fundit. Nuk më shkon në mendje të sjell një fraksionim apo konflikt më shumë në situatën politike.